Naim Noka
Jozi del nga shtëpia e Big Brother VIP dhe e mbyll eksperiencën e tij me një shpullë publike ndaj Gjestit. Ilir Demalia del nga një debat televiziv dhe i gjuan me shkelm Kujtim Gjuzit në hollin e një hoteli në mes të Tiranës. Ajo që dikur ishte e paimagjinueshme për një vend që pretendon të jetë pjesë e qytetërimit europian, sot është bërë rutinë, “show”, dhe më e frikshmja normë komunikimi publik.
Në Shqipëri, nga Parlamenti te reality show-t, çdo grusht, çdo ofendim, çdo shkelm, përkthehet në views, clicks dhe ndonjëherë edhe vota.
Pse jemi kaq të dhunshëm?
Sepse dhuna nuk është më turp. Dhuna është e “justifikuar” në emër të nervave, të drejtës për t’u revoltuar, apo e paraqitur si hakmarrje personale e ambalazhuar në kauzë. Shoqëria shqiptare është e sëmurë prej dhunës institucionale që nis në Parlament, ku ulërijnë burra që s’dinë të artikulojnë një fjali pa kërcënime, dhe vazhdon në rrugë, në familje, në shkolla, në ekran.
Kur deputetët hedhin tymuese në sallën e Kuvendit dhe i bien njëri-tjetrit me dosje e fjalor rruge, pse mos të mendojë një ish-kryetare Kuvendi se një shpullë në BBV është një akt “dinjitoz”? Kur kryeministri i vendit ofendon çdo ditë me arrogancë, pse të mos e shohë një analist si Demalia shkelmin si argument logjik?
Kur dhuna kthehet në gjuhë zyrtare
Sot, më shumë se kurrë, po jetojmë në një shoqëri ku agresiviteti shpërblehet, ndërsa mendimi i arsyetuar shpërfillet. Nuk ka më as frikë nga ndëshkimi, as turp nga publiku. Dhuna është kthyer në komunikim institucional: në politikë, në media, në rrjete sociale. E kur një shoqëri mëson se ofendimi është më efektiv se argumenti, atëherë kthehet në një turmë e cila nuk kërkon më drejtësi, por spektakël.
Në fund, as shpullat e Jozit, as shkelmat e Demaliajt, nuk janë veç simptoma.
Problemi i vërtetë është prirja jonë për t’i relativizuar këto veprime si “nervozizëm” ose “hakmarrje spontane”. Kjo është një shoqëri që ka nevojë për një terapi të thellë morale, arsimore dhe kulturore. Derisa të ndodhë kjo, do të vazhdojmë të ngazëllehemi pas grushteve në Parlament, shpullave në reality show dhe shkelmave në holle hotelesh, thënë më trashë jemi një popull që ka vendosur të mos debatojë më me fjalë, por me grusht.
“Çmendet” drejtoresha e Ramës: 2.3 mln euro për të marrë kontenierë me qira për një ditë!