Po mbajnë peng tenderin 2 miliardë lekësh për lumin e Borshit
Nga Publik.al
25 Qershor 2025
Tenderi për rehabilitimin e lumit të Borshit, me një fond marramendës prej mbi 2 miliardë lekësh, është kthyer prej më shumë se një viti në një ngërç të qëllimshëm institucional, ku rolet janë ndarë qartë: ministrja Anila Denaj luan të tërhequr për të shmangur përgjegjësinë penale, ndërsa Jonaid Myzyri, kreu i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), firmos vendimet që favorizojnë oligarkun Hamz Islamaj – një emër i përfolur për dhjetëra tendera të dyshimtë gjatë dekadës së fundit.
Si u mbajt peng një tender?
Anila Denaj dhe oligarkët mbajnë peng tenderin 2 miliardë lekë për rregullimin e lumit të Borshit prej një viti. Tenderi është paracaktuar për oligarkun Hamz Islamaj, por meqenëse ka zhurmë rreth pazarit me paratë e projektit është zgjedhur që këtë punë të pisët ta firmosë Jonaid Myzyri, kryetari i KPP. Ky nuk ka se çfarë të humbë, se e ka marrë rrugën për në burg. Me këtë rast, ministrja Denaj i shpëton përgjegjësisë direkte ligjore për parregullsitë e tenderit.
Paratë e projektit të rregullimit të argjinaturës së lumit Borsh janë dhënë në vitin 2024. Por ministrja nuk u nxitua, priti që niste fushata elektorale, që të mos binte në sy tenderi 2 miliardë lekësh për rregullimin e këtij lumi të vogël. Theksojmë se në për këtë vit për lumin Buna që përmbyt çdo vit gjysmën e Shkodrës, janë dhënë sa çereku i fondit që hidhet në Lumin Borsh.
Kur vjen puna për projekte 3D, ky lumë do të kthehet në një atraksion, por në realitet gjithçka duke e dyshimtë. Lumi Borsh është 15 km i gjatë dhe derdhet në Jon. Rregullimi i tij mund të priste, sepse ka më shumë nevojë tek Erzeni, Semani, Vjosa, Buna.
Më datën 21 mars 2025 është publikuar nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Fier procedura e prokurimit me objekt “Rehabilitimi i lumit të Borshit” me fond limit 206,360,994 Lekë pa TVSH. Tenderi është mbajtur në 7 prill 2025 në orën 10.00 tek Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Fier, që drejtohet nga Theodhor Stefa dhe është në varësinë direkte të ministres së Bujqësisë.
Deri tani jemi në fazën e parë të pazarit: Dy kompani kanë bërë kërkesë për “modifikim të kritereve” nga komisioni i tenderit.
Fakti që në tender lejohet të marrë pjesë kompania “Cogren” shpk e Fotina Rondos që është përjashtuar nga e drejta për të marrë kontrata publike për 1 vit, flet për fiktivitetin e procedurës.
Kujtojmë se kompania e mësipërme u ndëshkua për shkak të prezantimit të të dhënave të rreme në tenderin e Ujësjellësit të Sarandës me objekt “Rikonstruksion i rrjetit të ujësjellësit të fshatit Çiflik dhe ndërtim pusi”.
APP pasi mori denoncimin më 4 shkurt 2025, kishte nisur procedimin administrativ për përjashtimin e operatorit ekonomik “Cogren” Shpk, nga e drejta për të fituar kontrata publike, për keqinformim për qëllime kualifikimi në procedurën e prokurimit.
“Cogren” shpk në cilësinë e operatorit pjesëmarrës ka kërkuar të ndryshojnë kushtet e tenderit të Anila Denajt, duke u ankuar në KPP.
Paralelisht një ankesë të ngjashme ka bërë edhe kompania BE-IS e oligarkut Hamz Islamaj.
Ankesa e kompanisë “Cogren” shpk nuk është marrë parasysh nga KPP, meqenëse nuk kishte paguar tarifën për procedurën e ankimimit. Ndërsa “denoncimi” i Hamz Islamajt është konsideruar nga KPP dhe janë marrë jo pak, por 4 vendime në favor të tij.
Fondi për rehabilitimin e argjinaturës së lumit Borsh u miratua që në vitin 2024, por Denaj vendosi ta vonojë me qëllim, për ta aktivizuar në prag të zgjedhjeve, larg zhurmës mediatike. Në mënyrë ironike, vetëm për Borshin, një lumë 15 kilometra që derdhet në detin Jon, u akordua 4 herë më shumë fonde sesa për lumin Buna, që përmbyt çdo vit zonat më të gjera të Shkodrës.
Më 21 mars 2025, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit në Fier një strukturë nën varësinë direkte të Denajt shpalli procedurën e prokurimit. Por pasuria e tenderit kërkonte kontroll të plotë, dhe loja nisi: kompania “BE-IS” shpk e Islamajt nisi një betejë të simuluar në KPP për të ndryshuar kriteret e tenderit, të cilat siç rezultoi më pas iu “qepën” fiks nevojave të tij.
KPP në rolin e noterit të aferës
Kompania rivale, “Cogren” shpk, e Fotina Rondos, e cila ishte përjashtuar nga tenderat për 1 vit për mashtrim në një procedurë tjetër në Sarandë, u lejua të merrte pjesë për të krijuar pamjen e një gare. Kjo kompani bëri një kërkesë për ndryshim kriteresh, por nuk pagoi tarifën për ankimim, kështu që nuk u mor parasysh. Ndërkohë, ankesat e Islamajt u trajtuan me përparësi: KPP nxori katër vendime të njëpasnjëshme në favor të tij, duke urdhëruar ndryshimin e kritereve dhe duke pezulluar e anuluar procedurat sipas nevojës.
Më 20 qershor 2025, vendimi final i KPP vulosi fitoren e paracaktuar të Islamajt.
Kush është Hamz Islamaj dhe lidhjet e tij?
160 milionë euro tendera në një dekadë. Kjo është arritja “e padiskutueshme” e Hamz Islamajt në sektorin publik. Por ai nuk është një njeri që punon i vetëm. Pas tij qëndrojnë rrjeta klienteliste që përfshin:
- Ermal Nufin – drejtor kabineti në Ministrinë e Infrastrukturës, anëtar bordi në Kadastër, ARRSH, Albpetrol dhe në kompaninë “Alabbar” të Durrësit.
- Edmir Nufin – vëllai i tij dhe ortak i Islamajt në kompaninë “Maritime Logistics”, që merret me transportin e kontenierëve.
Me pak fjalë: një vëlla firmos tenderat, tjetri përfiton nga ato.
Anila Denaj dhe Jonaid Myzyri rrethin e ngushtë e shtrëngon SPAK
Anila Denaj, sot ministre e Bujqësisë, nuk është emër i ri për SPAK. Ajo mban firmën e koncesionit famëkeq të Sterilizimit, ndër më të dëmshmit për buxhetin e shtetit. Ndërsa Jonaid Myzyri është tashmë i pandehur për korrupsion, i marrë nën hetim zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme për abuzime me tendera.
Në këtë histori, duket se përgjegjësia do të bjerë mbi ata që nuk kanë më çfarë humbin, ndërsa Denaj pastron duart në distancë, me një strategji që e shpëton përkohësisht nga ligji, por jo nga turpi.
Tenderi për lumin Borsh është një skemë klasike klienteliste, ku politika dhe oligarkia bashkëjetojnë në mënyrë simbiotike. Fiktiviteti i procedurës, shkeljet e hapura, emrat e përsëritur të përfituesve dhe heshtja e institucioneve të tjera, përforcojnë bindjen se ky shtet punon për pak njerëz – dhe përkundër interesit publik.
Nëse SPAK do të mbetet vetëm spektator, atëherë kjo histori do të jetë thjesht një tjetër faqe në dosjen e zezë të qeverisjes aktuale.