Ben BLUSHI
Sapo lexova me kënaqësi se Pjerin Ndreu nuk kishte pasur asnjë plan për ta ndryshuar emrin e Shëngjinit.
Një ditë, edhe unë, si shumë të tjerë, u habita kur shtypi e prezantoi si një propozim zyrtar për Pjerinin, mundësinë për ta quajtur Shëngjinin “Qyteti Wilson”, sipas emrit të Presidentit Woodrow Wilson.
Për disa muaj, Shëngjini e ka mbajtur këtë emër kur Fan Noli, kryeministër, miratoi një propozim të Faik Konicës për të nderuar Presidentin Amerikan që kishte njohur pavarësinë e Shqipërisë.
Kjo ka ndodhur në vitin 1924. Njëqind vjet më parë.
Më vonë, Shëngjini nuk e mbajti dot atë emër dhe u kthye te emri i bukur që mban prej shekujsh.
Unë kam shkruar një roman për Shëngjinin dhe, qoftë edhe për këtë shkak, mu duk e padrejtë që këtij qyteti të mrekullueshëm peshkatarësh t’i ndryshohet emri.
Shqipëria e ka provuar dikur emërtimin e qyteteve sipas liderëve të huaj të botës.
Kuçova u quajt për gati 30 vjet “Qyteti Stalin”.
Kur komunizmi u shemb, banorët u kthyen te emri që kishin pasur përherë.
Natyrisht që ka një ngjashmëri të shtrembër mes dy rasteve.
Wilson na shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, kurse Stalini u mësoi komunistëve shqiptarë si të burgosnin dhe të vrisnin kundërshtarët e tyre për 45 vjet.
Shqipëria mbeti një vend stalinist edhe kur Bashkimi Sovjetik u nda nga Stalini gjatë viteve ’60.
Sidoqoftë, t’i ndryshosh emrin një qyteti nuk është gjithmonë e dobishme, pavarësisht nga arsyet.
100 vjet më parë, Fan Noli kishte arsye të tjera.
Presidenti Wilson, bashkëshortja e presidentit dhe vullneti i Amerikës nuk janë më president.
Sot gjërat kanë ndryshuar.
Nëse fillon moda e ndryshimit të emrave të qyteteve, fushëkrujasit mund të propozojnë që qyteti i tyre të quhet “Bush City” ose “Fushë-Bush”, sepse në vitin 2007 Presidenti Bush, që na anëtarësoi në NATO, erdhi në këtë qytet ku u mbulua me shumë dashuri.
Bush është i vetmi president që ka ardhur në Shqipëri dhe nuk e harroj sesa i qeshur ishte kur e prita te shkallët e avionit, më 10 qershor 2007.
Por, duke ndjekur këtë modë, me siguri shumë qytete të Kosovës do mbanin radhë për t’u quajtur “Klinton City”, sipas Presidentit Bill Klinton që e çliroi Kosovën nga Serbia në vitin 1999.
E natyrisht nuk do mbaronte me kaq, sepse kur t’i merrte vesh këto ndryshime të pamiratuara prej tij, sedra narcisiste e Presidentit Trump nuk do ngopej derisa një qytet tjetër i Shqipërisë ose Kosovës të quhej “Trump City”.
E kush mund t’i rezistojë kësaj kërkese të njeriut që dy ditë më parë detyroi Pakistanin, këtë vend të egër islamik me armë bërthamore, ta propozojë për Çmimin Nobel?
Kështu që, duke parashikuar se zinxhiri i këtyre pagëzimeve surprizuese mund të jetë i pafund, më erdhi mirë sot kur lexova se Pjerin Ndreu as e ka në plan t’ia ndryshojë emrin e bukur qytetit të Shëngjinit.
Vendosa ta bëj këtë koment në vazhdim të shënimit për Kuvendin e Lezhës që organizoi para një jave me aq bujari Pjerin Ndreu.
Aty kam shkruar se që kur e njoh, Pjerini më ka surprizuar tri herë.
Sot jam shumë i kënaqur që e la me kaq dhe nuk më surprizoi për herë të katërt.
Unë shkoj shpesh në Shëngjin për të fotografuar perëndimin mallëngjyes dhe nuk do të doja, që kur njerëzit të pyesin “ku je?”, t’u përgjigjem:
“Po pres uljen e diellit në Wilson”,
“Fryn pak erë në Wilson City”,
“Po nisem në Fushë-Bush, por rrugës për në Tiranë do kaloj edhe në Trump City, qyteti ku kam bërë zborin ushtarak dhe dikur quhej Mamurras.”