Flash News

Njihuni me CV-të e 13 garuesve për kreun e BKH-së

Prokuroria e Posaçme bëri publik emrat e 13 garuesve për postin e kreut të BKH-së. Ndër emrat rezultojnë persona me të kaluar si pjesëtarë të agjencive të zbatimit të ligjit, sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm.

Astrit Halilaj është ish-prokuror i Shkodrës, i shkarkuar në të dyja shkallët e vetting-ut. Ndërsa emri i tij ka përfunduar në SPAK me një vendim për pushimin e hetimit pas dyshimeve për një aferë korrupsioni. Pa dijeninë e tij, emri i Halilajt është pjesë e dosjeve të SkyECC të përdorura nga bota e krimit, konkretisht në dosjen e biznesmenit Pëllumb Gjoka.

Andi Pogaçe, aktualisht prokuror i certifikuar nga vetting-u, por në atë kohë KPK pati mjaft dilema për justifikimin e pasurisë së tij, si në blerjen e një automjeti ashtu edhe në disa llogari bankare.

Artur Beu, një oficer karriere, rikthehet në BKH për të aplikuar për kreun e këtij institucioni. Në garën e parë ai u skualifikua, edhe pse arriti deri në finalen me 4 emra, nga ku u përzgjodh Aida Hajnaj.

Elton Kërluku rezulton se prej vitesh është pjesë e tryezave dhe OJF-ve, duke u prezantuar si ekspert sigurie. Sot ai është pjesë e sektorit të hetimit financiar në varësi të SPAK.

Gentian Ndoi është efektiv policie, i cili nga SPAK mori për ekzekutim edhe masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke u paraqitur në selinë e PD-së.

Gentjan Shehaj, ish-kreu i Policisë së Vlorës, po ashtu rikandidon për herë të dytë në BKH, ndërsa më herët u skualifikua pas fazës së intervistës pranë komisionit të përbërë nga Arben Kraja, Eneid Nakuci dhe Behar Dibra.

Gledis Nano është ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili u lirua nga detyra me vendim qeverie të firmosur nga kryeministri Edi Rama. Në vend të tij u emërua Muhamet Rrumbullaku. Në momentin e largimit, Nano pati mbështetjen e ish-ambasadores Yuri Kim për të vijuar punën, ndërsa qeveria shqiptare vendosi ta largojë nga detyra.

Haki Çako është ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndërsa sot, teksa kandidon për kreun e BKH-së, mban postin e kreut të emergjencave civile.

Joni Keta, prej më shumë se një dekade pjesë e ish-Krimeve të Rënda dhe sot i SPAK dhe BKH. Prej disa javësh, Keta mban postin e numrit dy të BKH-së, duke bërë që bashkëpunimi mes SPAK dhe BKH të jetë aktiv pas një periudhe ku si Arben Kraja dhe Altin Dumani nuk kanë pasur më komunikim me Aida Hajnajn.

Maoricio Sheldija është pjesë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa raportimet për të në media janë të shumta për dyshime dhe përfshirje në abuzim me detyrën dhe ligjin.

Marinela Pilinçi, ish drejtuese e Dhomës së Avokatisë Pogradec, rezulton e vetmja zonjë pjesë e kësaj gare. Sot ajo është pjesë e prokurorisë Korçë si OPGJ.

Miklovan Kanani rezulton aktualisht si i vetmi biznesmen në këtë garë. Ai ka në pronësi dhe administrim një agjenci punësimi dhe ndërmjetësimi.

Nevrus Ndregjoni, oficer i policisë gjyqësore në Elbasan, rezulton se si pjesë e sistemit të drejtësisë ka vërejtje me shkrim nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Sipas kësaj vërejtjeje, Ndregjoni nuk ka kryer veprimet hetimore të lëna si detyrë nga prokurori dhe gjithashtu ka shkelur afatet në disa çështje.

SPAK BKH

NJOFTIM PËR SHTYP
Tiranë, 10 qershor 2025

Mbi procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njofton se, në kuadër të thirrjes së hapur për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH)deri në afatin e vendosur nga Komisioni i Përzgjedhjes rezulton se kanë aplikuar 13 kandidatë, të renditur sipas rendit alfabetik:

  1. Andi Pogaçe
  2. Artur Beu
  3. Astrit Halilaj
  4. Elton Kërluku
  5. Gentian Ndoi
  6. Gentjan Shehaj
  7. Gledis Nano
  8. Haki Çako
  9. Joni Keta
  10. Maoricio Sheldija
  11. Marinela Pilinçi
  12. Miklovan Kanani
  13. Nevrus Ndregjoni

Pas mbylljes së aplikimeve, procesi kalon në fazën e verifikimit paraprak, gjatë së cilës, Komisioni i Përzgjedhjes i ngritur me Urdhrin nr. 11794, datë 07.04.2025 të Drejtuesit të SPAK dhe në zbatim të Vendimit nr. 5, datë 22.05.2025, do të shqyrtojë dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët për të vlerësuar përmbushjen e kushteve ligjore dhe kritereve të përcaktuara në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Kandidatët që kalojnë fazën e verifikimit paraprak do të ftohen për të marrë pjesë në fazat pasardhëse të procesit.

Por si zgjidhet kreu i BKH-së?

Sipas nenit 33 dhe 34 të ligjit 95/2016 i cili thotë:

Neni 33
Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit

  1. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e Byrosë Kombëtare të
    Hetimit.
  2. Komisioni i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me
    më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent,
    rekomandojnë një kandidat për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i
    Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë.
  3. Kandidatët për Drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushin kushtet e sigurisë të
    nenit 6 të këtij ligji. Një kandidat nuk mund të caktohet në detyrë si Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit
    pa përmbushur kushtet e sigurisë dhe kushtet e aftësive profesionale.
  4. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas përfundimit të mandatit, gëzon të drejtën të kthehet
    në pozicionin e mëparshëm ose të emërohet në një pozicion të të njëjtit nivel, me një gradë që i
    korrespondon atij funksioni.
  5. Drejtori mbikëqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme,
    njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short.
  6. Drejtori, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, përzgjedh nga radhët e hetuesve
    një zëvendësdrejtor. Zëvendësdrejtori vepron në emër të drejtorit në mungesë të tij.
  1. Drejtori cakton hetues për të drejtuar sektorë brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përputhje
    me urdhrin e përbashkët të nxjerrë në bazë të nenit 31, pika 2, të këtij ligji.
    Neni 34
    Kriteret e emërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit
  2. Kandidati për Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të përmbushë të gjitha kushtet e
    parashikuara në nenin 6, pika 3, të nenit 37, si dhe pikat 2 dhe 3, të nenit 38, të këtij ligji. Ai duhet të
    plotësojë me sukses kriteret e përzgjedhjes dhe trajnimit për Byronë Kombëtare të Hetimit.
  3. Kandidati për Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të jetë personi që ka vetëm shtetësi
    shqiptare, që gëzon cilësi të larta profesionale dhe morale, dhe që plotëson këto kritere:
    a) ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë të barasvlershme me
    “Master i shkencave”, ose arsimin e lartë policor;
    b) ka eksperiencë pune si prokuror, punonjës i Policisë së Shtetit apo Policisë Gjyqësore ose hetues i
    Byrosë Kombëtare të Hetimit;
    c) ka përvojë pune të paktën 5 vjet në çështje që kanë të bëjnë me veprat penale në fushën e
    korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda;
    ç) nëse ka qenë apo është punonjës i Policisë së Shtetit, të ketë mbajtur për jo më pak se 3 vjet
    gradën “Komisar”, “Kryekomisar”, “Drejtues” apo “Drejtues i Parë”;
    d) të mos jetë në hetim apo gjykim për një vepër penale, të mos ndodhet në kushtet e
    pazgjedhshmërisë në një funksion publik, sipas ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave
    që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe të nënshkruajë formularin e
    vetëdeklarimit në zbatim të atij ligji;
    dh) nuk ka mbajtur funksione politike në administratën publike ose funksione drejtuese në partitë
    politike të paktën gjatë dhjetë viteve të fundit përpara momentit të kandidimit;
    e) ka marrë vlerësim maksimal për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është
    nënshtruar vlerësimeve të mëparshme, sipas legjislacionit në fuqi;
    ë) ndaj tij nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër
    disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e kandidimit;
    f) të mos ketë qenë dhe të mos jetë bashkëpunëtor, informator ose agjent i ndonjë shërbimi
    inteligjent;
    g) në periudhën 29.11.1944 – 2.7.1991 të mos ketë qenë anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar
    i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i
    Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të
    Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, punonjës i organeve të ish-Sigurimit të Shtetit,
    bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, anëtar i Komisionit Qendror të DëbimInternimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset
    politike të posaçme;
    gj) të japë pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga
    specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes.
  4. Procedura e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit garanton kandidimin e
    hapur, konkurrimin e ndershëm midis shumë kandidatëve, vlerësimin objektiv të përmbushjes së kushteve
    dhe kritereve, transparencën dhe standardet e tjera të procesit të rregullt ligjor. Përmbushja e kushteve dhe
    kritereve të përcaktuara në këtë nen provohet me dokumentacionin shoqërues të kërkesës, të depozituar nga
    kandidati, si dhe informacioneve zyrtare të marra nga institucione të tjera publike, përfshirë edhe
    informacionet konfidenciale në lidhje me kandidatët./weblajm

Recent Posts

  • Reportazh

Rio, bariu nga India dhe kultura që po shuhet në malet e Kolonjës

REPORTAZH | PUBLIK.AL/Kristna Kokli Në një stan të vetmuar mes maleve të Kolonjës, larg botës…

39 minutes ago
  • Denoncime

Dogana e Gazhelit i hapi traun biznesit të kontrabandës së cigareve

Një fabrikë e prodhimit të cigareve, e dyshuar prej një dekade për aktivitet të paligjshëm,…

2 hours ago
  • Flash News

Tiranë/ Lëvizte me armë zjarri në makinë, arrestohet 28-vjeçari

Një 28-vjeçar i identifikuar si Fatbardh Mani është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi në…

2 hours ago
  • Flash News

Vr*sja në Klos, dy kushërinjtë u zunë fizikisht pastaj me thikë

Policia ka zbardhur ngjarjen e mbrëmjes së kaluar (11 qershor), ku u gjet i vrarë me…

2 hours ago
  • Sport

Sylvinho rikthen Shqipërinë në pikën zero

Me Sylvinho-n në stol, Shqipëria u kualifikua me spektakël në “Euro2024”, por që nga ai…

2 hours ago
  • Ekonomi

Në Shqipëri pagat rriten, por pabarazitë thellohen!

Ndërtimi dhe turizmi në rritje, por ende nën mesatare Tregu i punës në Shqipëri është…

3 hours ago