Me pallatin e Sakos së “2T” në Ali Dem
Ligji në Shqipërinë e Edi Ramës duket se vepron vetëm ndaj atyre që nuk kanë “miq” në Qeveri apo Polici, duke i “gostitur” këta të fundit herë pas here.
Kjo duket se vërtetohet nga rasti i regjistruar këtë të hënë në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet, ku kompania “2 T”, e zotëruar nga Artan Sako dhe Dritan Troksi po ndërton një kullë.
Siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme të siguruara nga Boldnews.al, betonieret e kësaj kompanie që po ndërtojnë kullën kanë bllokuar totalisht trotuarin për qytetarët.

Sipas vendimeve të Bashkisë së Tiranës, betonieret nuk lejohet të qarkullojnë brenda territorit të Unazës së Vogël nga ora 08:00 deri në orën 20:00, ndërsa tani gjatë sezonit turistik nuk lejohen fare gjatë kësaj fashe orari për të shmangur trafikun. Gjithsesi, edhe nëse “2 T” e Artan Sakos ka marrë leje, sërish asaj nuk i lejohet që të bllokojë trotuarin dhe rrugën në mes të ditës.

Zona në të cilën po ndërtohet pallati i “2 T” i Artan Sakos mbulohet nga komisariati nr. 1 i Tiranës, e cila drejtohet nga Robert Losha dhe duket se nuk vepron ndaj paligjshmërive dhe episedove që dëmtojnë qytetarët.
Ndërkohë që Policia e Robert Loshës sheh çdo mjet edhe nëpër rrugicat dhe cepat e pallateve për të gjobitur qytetarët me masa administratove maksimale për parkime të gabuara, duket se për të parë betonieret e kompanisë “2 T” të Artan Sakos që bllokon trotuaret, ia “vret” sytë dielli për t’i dalluar.
“Ali Demi” njihet si një zonë ku “lulëzojnë” paligjshmëritë, konkretisht bastet sportive, të cilat dyshohet se sollën edhe konfliktin e armatosur, sipas raportimeve mediatike, para zgjedhjeve parlamentare në zyrat elektorale të PSD-së së Tom Doshit.

“2 T” është një kompani, e cila zotërohet nga dy aksionerë. Artan Sako, vëllai i ish komandantit të Gardës së Republikës Gramoz Sako, si dhe Dritan Troksi, të cilët zotërojnë secili nga 50 për qind të aksioneve.
“2 T” njihet një nga kontraktorët më të mëdhenj të qeverisë së Edi Ramës. Sipas të dhënave nga thesari, në pesë vitet e fundit kjo kompani ka marrë mbi 70 milionë euro pagesa nga institucionet publike.
Gjithashtu, Artan Sako është thirrur edhe në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të dëshmuar, por ende nuk dihet nëse është thirrur si person në dijeni për ndonjë dosje apo si person në hetim dhe për cilën çështje./Boldnews