Alisa Braho
Është shpronësuar vetë ideja e zgjedhjes së lirë, ajo molekulë e domosdoshme që e dallon qytetërimin nga tirania, lirinë nga kontrolli, republikën nga pushteti personal. Ajo që ndodhi më 11 maj nuk ishte një garë elektorale, por një demonstrim sistematik i dhunës së rafinuar shtetërore, ku bindja u zëvendësua nga frika, zgjedhja nga patronazhi, dhe garancia ligjore nga një ekonomi politike e kapjes.
Në vend të votuesve të lirë, pamë qytetarë të survejuar si në një eksperiment të madh social. Në vend të komisionerëve të pavarur, pamë të deleguar të një klike me mandat për të manipuluar. Në vend të një procesi zgjedhor, një ritual të pështirë legjitimiteti, të mbrojtur nga një aleancë e shëmtuar mes burokracisë së korruptuar dhe bandave të rikualifikuara si strukturë logjistike elektorale.
Kjo nuk është më politikë. Kjo është inxhinieri shoqërore e një rendi autoritar që maskohet me formalitetet e demokracisë ndërkohë që e shemb thelbin e saj.
Ata që sot flasin për “humbjen e opozitës”, ose nuk e kuptojnë natyrën e rrezikut, ose janë hallka të një makinerie që po prodhon cinikisht një sistem pa alternativë. Sepse të pranosh këtë realitet si normal, është të legalizosh idenë që demokracia është një dekor që vihet e hiqet sipas nevojës, dhe jo një themel i panegociueshëm i bashkëjetesës sonë politike.
Po, Partia Demokratike duhet të reflektojë. Por jo për t’u përshtatur me narrativën që i imponon një regjim që kontrollon edhe kuadrin e debatit. Reflektimi është detyrim moral, por ai bëhet brenda, për të rindërtuar substancën, jo për të plotësuar koreografinë e një opozite të kontrolluar.
Sepse beteja për demokracinë nuk është një konkurs statuti, por një përpjekje ekzistenciale për të mos lejuar që Shqipëria të zhytet përfundimisht në autokracinë e maskuar si pluralizëm. Dhe kjo nuk është më çështje partie, është provë për gjithë shoqërinë shqiptare nëse do të jetë subjekt i historisë apo objekt i saj.
Kjo nuk është një humbje. Kjo është një thirrje për rezistencë. Dhe kush nuk e dëgjon, e ka nënshkruar kapitullimin e vet politik dhe moral.