Nuk fitoi vetem Eltoni por fitoi gazetaria kundër arrogancës së pushtetit

 

Më 22 prill 2025, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë gazetarit Elton Qyno, duke shfuqizuar vendimet që lejonin sekuestrimin e kompjuterit dhe pajisjeve të tij nga Prokuroria e Posaçme. Ky vendim nuk është thjesht një akt juridik – është një mesazh i qartë: gazetaria e lirë nuk mund të nëpërkëmbet nga pushteti.

Prokuroria u përpoq ta detyrojë Qynon të zbulojë burimin e informacionit të tij – një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias. Iu sekuestruan pajisjet, iu kontrollua banesa dhe vendi i punës, thua se ishte një kriminel dhe jo një gazetar që informon publikun.

Por sot, drejtësia foli siç duhet:

Një gazetar ka të drejtë të mos tregojë burimet e tij.

Liria e medias është pjesë e lirisë së shprehjes dhe çdo ndërhyrje në këtë të drejtë është shkelje e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese theksoi se autoritetet nuk kishin asnjë arsye ligjore dhe as nuk kishin justifikuar pse sekuestrimi i të dhënave ishte mjeti i vetëm për të hetuar një çështje. As nuk treguan pse ishte urgjente. E gjithë ndërhyrja ndaj Qynos ishte një veprim i paarsyetuar dhe joproporcional.

Ky vendim është një fitore për Elton Qynon, por edhe për të gjithë gazetarët që guxojnë të hetojnë, të raportojnë dhe të mos i shërbejnë pushtetit. Është një precedent që duhet të kujtohet dhe të mbrohet – sepse lufta për fjalën e lirë nuk mbaron me një vendim gjykate.

Pushteti mund të përpiqet ta frikësojë gazetarinë me presione, me sekuestrime, me gjoba dhe padi, por jo gjithmonë ia del. Sot, një gazetar qëndroi i palëkundur dhe drejtësia më në fund e mbrojti.

Kjo është ajo çka duhet t’u tregojmë qytetarëve: që ka ende zëra që nuk heshtin. Dhe që e vërteta nuk shitet, as nuk trembet.

Publikuar nga Publik Media