Av Arben Llangozi
Mirë se vini në sistemin shqiptar të “drejtësisë”, ku për të përfunduar pas hekurave nuk të duhet të kesh kryer ndonjë vepër penale mjafton të mos i pëlqesh një oficeri të Policisë Gjyqësore. Po, aq thjesht është.
Në Shqipëri nuk ka më nevojë për hetime serioze, për prova, për fakte. Vetëm një “dyshim personal” i një oficeri dhe treni procedurial niset në një drejtim pa kthim.
Oficeri vendos të të arrestojë. Jo se ka ndonjë provë konkrete, por sepse ashtu “i erdhi”.
Prokurori firmos automatikisht, pa verifikuar, pa pyetur, pa analizuar. Sepse në këtë sistem, prokurori është kthyer në noter të policisë, jo në përfaqësues të ligjit.
Gjykata cakton masën “arrest me burg”, sepse… duhet të ruhet balanca mes organeve? Apo sepse thjesht nuk i thotë dot “jo” një kërkese pa bazë?
Kështu, një qytetar i zakonshëm që mund të jetë plotësisht i pafajshëm, që nuk ka kryer asnjë vepër penale, zgjohet një mëngjes dhe përfundon në burg. Dhe kur më në fund del që nuk kishte asnjë provë, asnjë fakt, asnjë logjikë ligjore për ta arrestuar, çfarë ndodh?
Sigurisht, nuk kërkohet përgjegjësi nga oficeri që abuzoi me pushtetin. Përkundrazi, për të mos u dukur se vepruan gabim, prokurori shpik ndonjë akuzë të dobët, formulon një aktakuzë boshe, dhe gjykata e mbyll me një “dënim me kusht” ose një “burg minimal”, që të ruhet imazhi i sistemit. Dhe qytetari? Ai duhet të jetë i lumtur që nuk po i japin 10 vjet burg për kotësinë që i sajuan.
Kjo është drejtësia në Shqipëri sot, një mekanizëm që funksionon me dyshime, me mllef personal, me urdhra informale dhe me një mungesë totale llogaridhënieje.
Kur oficerët bëhen të paprekshëm, prokurorët bëhen vegla dhe gjyqtarët kthehen në vulosës, drejtësia nuk është më shërbim ndaj qytetarëve, por një makineri që prodhon frikë dhe padrejtësi.
Drejtësia është kthyer në një lojë të rrezikshme, ku jeta, nderi dhe liria e një njeriu varen nga humori apo inati i një oficeri. Në vend që sistemi të ndëshkojë ata që e abuzojnë ligjin, ai mbrohet me çdo kusht edhe kur gabon. Në fund të ditës, viktima mbetet qytetari i zakonshëm.
Dhe pyesim veten pse njerëzit nuk besojnë më te drejtësia?