Zhvillimi urbanistik në Shqipëri vijon me ritme të larta, teksa janë miratuar një sërë lejesh ndërtimi për komplekse turistike dhe struktura rezidenciale në disa prej zonave më të lakmuara të vendit.
Resorte luksoze në Kepin e Rodonit, Zvërnec dhe Jalë
KEPI I RODONIT
Në Kepin e Rodonit është dhënë miratimi për ndërtimin e një kompleksi turistik që përfshin 17 vila dykatëshe, një hotel me lartësi nga 2 deri në 4 kate dhe një parkim nëntokësor me dy kate. Ky projekt do të zhvillohet nga kompania “Doma Co” sh.p.k.
Prona e zhvillimit është 11.232 m2 dhe ndodhet në pjesën veriore të Kepit të Rodonit, Durrës.
Kompania është në pronësi të Selim dhe Dorian Domës, ish JEDA e Bujar Dodës, firma e cila të bën “dëmin”, ndërtuese e pallateve pa kollona në Durrës të cilat u shembën si të qenë bërë prej muresh kartoni, që nga tërmeti i 17 nëntorit.
ZVËRNEC
Në zonën e Zvërnecit, një tjetër investim pritet të marrë jetë. Shoqëria “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. ka siguruar lejen për ndërtimin e një resorti turistik në bllokun rezidencial F1V2, F1V3 dhe F1R6, me vendndodhje në Pishë Poro-Nartë.
Me sa është raportuar më parë në media, ky resort do të jetë nën pronësinë e kamufluar të Klodian Allajbeut. Me lidhjet e investiguara të pronarëve në letra bashkë-zotërues të disa bizneseve me Allajbeun.
Ky i fundit akuzohet në Kosovë për pastrim parash. E njëjta skemë që po përdor edhe me resortin që do të ngrejë në Zvërnec nën administrimin e Redi Strugës.
JALË
Ndërkohë, në jug të vendit, në Jalë, shoqëria “Soleil and Sea” sh.p.k. ka marrë miratimin për ndërtimin e një kompleksi turistik, i cili do të përfshijë struktura hotelerie dhe shërbime të ndryshme.
Është planifikuar ndërtimi i “Kompleksit turistik, strukturës hoteliere dhe shërbimeve” me emrin “Nukli 2”, nga shoqëria zhvilluese “Soleil and Sea” sh.p.k. zyrtarisht nën pronësinë e kamufluar të Endri Mingollarit dhe Ardit Bajraktarit, por me pronar real Alban Xhillarin i cili ka përftuar një sipërfaqe të lakmuar prej 220 mijë metrash katrorë në Jalë.
Projekte të reja në Durrës: Marina dhe ndërtesa shumëkatëshe
Në Durrës, autoritetet kanë shqyrtuar dhe miratuar pesë leje ndërtimi të reja si dhe një ndryshim projekti për Marinën e Durrësit, duke konfirmuar ritmet e shpejta të zhvillimit në këtë zonë:
• Ndërtimi i infrastrukturës së “Marina & Jahtet e Durrësit” – Faza 1
• Ndërtesa banimi dhe shërbimesh me lartësi nga 1 deri në 10 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë
• Godinë banimi dhe shërbimesh me 1, 3, 6 dhe 18 kate mbi tokë
• Strukturë turistike me lartësi nga 1 deri në 11 kate dhe dy kate parkimi nëntokësor
• Ndryshim i projektit për punimet detare të Marinës së Durrësit