Oligarku i heshtur Marin Gjonaj në dosjen e korrupsionit të SPAK

Nga Albert Mero

Publik.al | Seria “Publik Enemy”

Një emër që deri dje qëndronte në hije, sot shfaqet në qendër të një prej dosjeve më të bujshme të SPAK: ajo kundër Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Marin Gjonaj, pronari i kompanisë “Info Telecom”, është më shumë se një “hallkë teknike”. Ai është një figurë kyçe në një rrjet klientelist që përfshin telekomunikacionin, energjinë, lejet strategjike dhe… kriptovalutat.

Lidhjet me Kryemadhin dhe hyrja e dyshimtë e UNIFI në treg

Në dokumentet e siguruara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), Marin Gjonaj përmendet si personi që bëri të mundur hyrjen teknike të kompanisë së huaj “UNIFI” në tregun shqiptar përmes “Info Telecom”. Kjo lëvizje, sipas SPAK, u realizua përmes ndikimit të drejtpërdrejtë të Monika Kryemadhit dhe ndërmjetësimit të kushëririt të saj, Adrian Shatku.

Burime konfidenciale nga grupi hetimor konfirmojnë se Gjonaj ka pranuar se ka marrë kërkesë ndihme nga Shatku, të cilin SPAK e përshkruan si “lidhje direkte familjare dhe politike” të çiftit Meta-Kryemadhi.

Në dosjen që e SPAK është dëshmia e Marin Gjonajt të “Info Telecom”, i cili disa vite më parë ofronte shërbimin e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare për një kompani telefonike duke mundësuar ndërkohë edhe aksesin e kompanisë UNIFI me rrjetin e kësaj kompanie.

Gjonaj ka një rol kyç në këtë raport te UNIFI me kompaninë telefonike pasi sipas mesazheve të Shatkut dhe Kryemadhit, ‘Info Telecom” ishte kompania që bëntë lidhjen teknike.

Nga dëshmia e dhënë prej tij, Marin Gjonaj nuk mban asnjë përgjegjësi në këtë marrëdhenie “UNIFI-Info dhe kompanitë telefonike, nga e cila dyshohet se përfitonte çifti Meta-Kryemadhi.

Marin Gjonaj sipas dosjes së SPAK shprehet se lidhjet me kompanitë vendase i mbante Anisa Skëndaj duke shmangur përgjegjësinë nga vetja duke theksuar se ajo mbante kontratat dhe financat.

Në një komunikim mes Monika Kryemadhit dhe “kushos” biznesmen Adrian Shatku, ky i fundit e informon deputeten e PL-së, se Marin Gjonaj i ka hequr fishën.

Ndër kohë Kryemadhi me tone të ashpra i përgjigjet se: “E tmerrshme, ti heqim licensën, wa wa, u bë bytha Marinit, e tmerrshme”.

Ndërkohë, në komunikimet e zbardhura nga SPAK, rezulton se Monika Kryemadhi dhe Adrian Shatku flasin pikërisht për Marin Gjonajn, shërbimet e tij dhe rolin që kishte kompania Info Telecom në lidhjen teknike të UNIFI me një kompani telefonike për tranzitimin ndërkombëtar të thirrjeve.

Nga thirrjet telefonike në energjinë diellore dhe fondet publike

Por aktiviteti i Gjonajt nuk mbaron me telekomin.

  • Korrik 2024 – Këshilli Kombëtar i Territorit i jep leje ndërtimi për një park fotovoltaik 100 MW në Mallakastër kompanisë Greennat Solar Park Ballsh, në pronësi reale të Gjonajt përmes Infotelecom-Albsolar 3.
  • Ener Trade, një kompani tjetër e lidhur me të, rezulton ndër përfituesit kryesorë të fondeve publike në sektorin e prokurimit të energjisë.

Në kulmin e hetimeve për influencë politike dhe favorizim të një kompanie të huaj, shteti shqiptar shpërndan një tjetër dhuratë – këtë herë në sektorin e energjisë, ku subvencionet dhe lejet kalojnë në duart e të njëjtit person të hetuar.

Bitcoin, arrest i shmangur dhe skandali në Fllakë

Në vitin 2022, Policia e Shtetit lëshoi urdhër-arresti për Gjonajn pasi në pronat e tij në Fllakë dhe Shijak u zbuluan fermat e paligjshme të minimit të kriptovalutave. Pajisje të fuqishme që konsumonin sasi marramendëse energjie, jashtë çdo norme dhe deklarimi.

Si gjithmonë në Shqipëri, Gjonaj “zhduket”, ndërsa disa nga punonjësit e tij mbahen përkohësisht në paraburgim.

Ndërkohë, ai ka regjistruar tre kompani të quajtura “Crypto World”, të fokusuara në:

  • Minierat e kriptovalutave
  • Importin e pajisjeve për blockchain
  • Transaksionet financiare të palexueshme

Perandoria e heshtur e Marin Gjonajt

Gjonaj zotëron ose ka aksione në një numër të madh kompanish që shtrihen në fusha strategjike:

  • DIGICom – komunikim elektronik
  • ProBroker – ndërmjetësim në pasuri të paluajtshme
  • ETMT – energji e rinovueshme
  • Crypto World 1, 2, 3 – minierat e Bitcoin
  • Gjonaj Group Holdings – investime në tregje financiare

Një strukturë e ndërlikuar që nuk duket si një biznes i zakonshëm, por si një ekonomi paralele që mbijeton dhe pasurohet përmes lidhjeve politike dhe fondeve publike.

Çfarë nuk po heton SPAK?

Për momentin, SPAK po ndjek pistën Kryemadhi–Shatku, por ende nuk ka nisur një hetim të plotë penal ndaj vetë Marin Gjonajt, ndonëse:

  • Ka përdorur në mënyrë abuzive energjinë elektrike për kriptominim
  • Ka marrë leje strategjike me ritme rekord
  • Ka përfituar tendera dhe fonde nga operatorët shtetërorë të energjisë
  • Ka ndërmjetësuar kompani të huaja nëpërmjet ndikimit politik

Rasti i Marin Gjonajt është shembulli më i pastër i mënyrës sesi biznesi, politika dhe korrupsioni sistemik janë bërë një i vetëm në Shqipëri. Ai përfaqëson modelin më të ri të klientelizmit të sofistikuar, ku nuk të duhet të jesh në ekran – mjafton të jesh në prapaskenë, duke lëvizur fijet e parave, influencës dhe teknologjisë.

SPAK ka në dorë një nyje të rëndësishme: A do të ndalet te Shatku dhe Kryemadhi, apo do të ndjekë paratë, lejet dhe kontratat deri tek Marin Gjonaj – oligarku i heshtur i një perandorie që shtrihet nga kabllot e telekomit tek panelet diellore dhe serverat e kriptomonedhave?

Publikuar nga Publik Media