Si po legalizohet pastrimi i parave në perlën e Adriatikut
Nga redaksia Publik.al

E keni parë ndoshta në rrjetet sociale: një projekt gjigand, me vila, hotel luksoz dhe madje edhe një kazino, që premton “turizëm elitar” në bregun e Adriatikut. Por pas emrit romantik “Dukagjini Resort”, fshihet një histori shumë më e errët dhe një skemë oligarkike që po gllabëron një nga zonat më të bukura dhe më të paprekura të Shqipërisë: Rana e Hedhun, në Shëngjin.
Sipas dokumenteve zyrtare, me vendim nr. 71, datë 9 janar 2025, qeveria shqiptare ka miratuar lejen e ndërtimit për projektin “Dukagjini Resort”, që përfshin ndërtimin e vilave, një hoteli dhe një kazinoje në zonën e mbrojtur të “Malit të Rencit”, në Shëngjin. Administrator ligjor figuron Korab Lluka, i biri i oligarkut të njohur nga Peja, Ekrem Lluka.
Nga Peja në Shëngjin, me bekimin e qeverisë shqiptare
Ekrem Lluka është një emër i njohur në botën e errët të biznesit ballkanik. I përfolur si oligarku i preferuar i regjimit të Millosheviçit, ai ka ndërtuar perandorinë e tij mbi kontrabandë cigaresh, bashkëpunime të dyshimta me vëllain e ish-diktatorit serb dhe lidhje të errëta që shtrihen në Kosovë, Serbi, Mal të Zi e Bosnje.
Tani, perandoria e Llukës po zgjerohet edhe në Shqipëri dhe jo në çdo cep, por pikërisht në një nga zonat më të pastra dhe më të mbrojtura të bregdetit tonë. Lejet jepen, betoni ngrihet, kazinoja po përgatitet, ndërsa qytetarëve shqiptarë u mbetet vetëm të shohin si pasuritë e përbashkëta kthehen në parajsa për pastrimin e parasë.
A e di shteti me kë ka të bëjë? Apo nuk i intereson?
A është verifikuar burimi i kapitalit që qëndron pas këtij projekti? A ka analizuar askush se çfarë përfaqëson familja Lluka në kontekstin politik dhe ekonomik të Ballkanit? Apo mjafton një emër “elegant” si “Dukagjini” për t’ia kaluar çdo dyshimi?
Fakti që qeveria shqiptare i ka dhënë leje ndërtimi një subjekti të tillë në një zonë me rëndësi strategjike mjedisore është më shumë se skandal. Është një tregues se në Shqipëri, gjithçka është e shitshme – edhe perlat e fundit të natyrës.
Rana e Hedhun ,toka që u hodh në duar të gabura
“Rana e Hedhun” është një nga thesaret e rralla të bregdetit shqiptar, me një peizazh të pazakontë, që bashkon malin me detin, me rërë natyrale që zbret nga lartësia deri në breg. Në vend që të mbrohej si pasuri kombëtare, ajo po i jepet një prej figurave më problematike të biznesit rajonal, në një projekt që nuk ka asgjë të përbashkët me zhvillimin e qëndrueshëm.