ONM peretendon se ka disa të dhëna për gjyqtarin Shala të cilat duhet të merren parasysh dhe ai të kalojë përsëri në rivlerësim. Ndër to, ONM thotë se ka pranuar një denoncim anonim për gjyqtarin e Apelit të Tiranës vetëm dy ditë më parë, më datë 10 nëntor.
Mirëpo, kjo kërkesë ka përplasur dy Komisionerët Publikë, Darjel Sina dhe Florian Ballhysa.
Në qëndrimin e tij publik kundër ankimimit të vendimit të KPK për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Genti Shala, komisioneri Darjel Sina ka thënë se e ka analizuar çështjen me ekipin e tij dhe kanë dalë në përfundimin se vendimi i Komisionit ishte i drejtë.
Më tej, ai ka thënë se ka marrë rekomandimin e ONM për të ankimuar çështjen, por pasi e ka shqyrtuar atë, nuk ka gjetur elementë që do e bënin të ndryshonte mendim. Ai shprehet se denoncimi që gjytari kishte pasuri të padeklaruara nuk sillte prova.
“Nga përmbajtja e rekomandimit, i vetmi element i ri që gjendet brenda tij është një denoncim anonim, i cili nga përmbajtja e tij nuk rezulton se sjell prova të reja për subjektin e rivlerësimit”, shprehet Sina.
Pas rekomandimit të ONM-së dhe refuzimit të Sinës, komisioneri Florian Ballhysa ka marrë në dorë çështjen dhe ka ushtruar ankim. Në qëndrimin e tij, Ballhysa bazohet plotësisht në rekomandimin e ONM-së dhe i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rihetojë gjyqtarin Shala, përfshi denoncimin anonim dhe një kontratë huaje të vitit 2015, që rezulton e pahetuar nga KPK.
Ballhysa kërkon gjithashtu që denoncimi duhet të vlerësohet nga Kolegji. “Komisioneri Publik vlerëson se ky denoncim duhet shqyrtuar gjatë procedurës gjyqësore në Kolegj, pasi pretendohet për pasuri të padeklaruar, të fshehur të subjektit të rivlerësimit, që për shkak të momentit të paraqitjes së denoncimit, nuk ka qenë i mundur të hetohej”, shprehet ai në ankim
