Landi Çela
Partia Demokratike ndodhet në një moment vendimtar, por edhe më të errëtin në historinë e saj të pas ‘90-ës. Në vend që të frymëzojë dhe të ndërtojë shpresën për qytetarët që presin një opozitë të fortë dhe koherente, PD është përfshirë në një betejë të ashpër të brendshme, që kërcënon ta çojë atë drejt copëzimit të plotë.
Lista e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 11 majit 2025 ka shërbyer si “fitili” që ka ndezur konfliktin e brendshëm.
Mungesa e frymës së re dhe arroganca e liderit
Në teori, ndryshimi i listave mund të shihej si një mundësi për të futur frymë të re në politikën opozitare. Por në praktikë, lista e re duket më shumë si një eksperiment i rrezikshëm i mbushur me miq dhe familjarë të afërt me Berishën, në vend të kontribuesve realë të partisë. Sipas burimeve brenda PD-së, sekretaret dhe recitueset e deklaratave të Berishës do të zëvendësojnë deputetët që kanë kaluar vite duke mbrojtur interesat e partisë, shpeshherë edhe duke përballuar dhunë dhe arrestime në aksionet opozitare.
Kjo arrogancë në vendimmarrje ka krijuar një valë pakënaqësish, e cila po shprehet gjithnjë e më hapur në media dhe studio televizive. Deputetët nga Vlora, Fieri, Elbasani dhe zona të tjera po ngrejnë zërin kundër një liste që ata e shohin si tradhti ndaj sakrificave të tyre. Kjo përçarje, vetëm tre muaj para zgjedhjeve, është një sinjal i qartë i mungesës së kohezionit dhe vizionit strategjik brenda PD-së.
Një opozitë që duhet të frymëzojë, jo të përçajë
Pas 12 vitesh në opozitë, PD duhet të ishte një makineri politike në perfeksion, e gatshme për të sfiduar qeverinë Rama në çdo front. Por realiteti është krejt ndryshe. Në vend që të ofrojë shpresë dhe të frymëzojë elektoratin, PD po ndjek një rrugë që çon drejt një vetëshkatërrimi politik. Lufta brenda llojit, që tani ka dalë hapur, nuk bën asgjë tjetër veçse i largon qytetarët nga ideja e një opozite serioze dhe të besueshme.
Mungesa e frymës së re dhe fakti që Berisha nuk ka prodhuar ende një ekip liderësh të rinj me vizion dhe energji për të përballuar sfidat politike, e kthen PD-në në një parti pa të ardhme. Nëse listat e reja do të shihen nga elektorati si një lojë klanesh dhe interesash personale, atëherë rezultati i zgjedhjeve të majit do të jetë i paracaktuar: një tjetër humbje e turpshme për opozitën.
Çfarë do të mbetet pas 11 majit?
Nëse PD nuk arrin të dalë e unifikuar nga kjo fushatë, 11 maji mund të shënojë fillimin e fundit të saj si një forcë e rëndësishme politike në Shqipëri. Përçarjet e sotme mund të pasohen nga copëzime të reja dhe humbja e mëtejshme e besimit të qytetarëve.
Opozita duhet të jetë një simbol shprese, jo një teatër sherrnajash. Ajo ka përgjegjësinë historike për të frymëzuar qytetarët dhe për të krijuar një alternativë të vërtetë ndaj qeverisë Rama. Por për ta bërë këtë, liderët e PD-së duhet të vendosin interesat e partisë dhe të vendit mbi egot personale dhe ambiciet e ngushta. Koha po mbaron, dhe nëse Berisha dhe PD vazhdojnë në këtë rrugë, fatura do të jetë e rëndë, jo vetëm për partinë, por për të gjithë qytetarët që kërkojnë ndryshim.