Albert Mero
Në një fjalim të mbushur me tone të ashpra dhe simbole të fuqishme, Kryeministri Edi Rama e sfidoi publikisht drejtësinë, duke e kritikuar ashpër SPAK-un dhe GJKKO-në për mënyrën si po veprojnë. Ai i qortoi këto institucione për politizimin e tyre dhe për faktin se, sipas tij, janë bërë më shumë si redaksi lajmesh sesa si institucione që ndjekin drejtësinë me profesionalizëm.
Rama, në stilin e tij të njohur, e krahasoi drejtësinë me “zonjën me peshore e sy të mbyllur”, duke theksuar se ajo nuk duhet të kthehet në një institucion që ndikohet nga presioni mediatik dhe politik. Ai e bëri të qartë se nuk do të lejojë që SPAK-u dhe GJKKO-ja të përdoren si mjete për të goditur Partinë Socialiste dhe ekzekutivin, duke i paralajmëruar prokurorët që të mos “tundin dosjet si gazetarë investigativë”, por të ndjekin provat dhe faktet.
Një nga deklaratat më të forta të tij ishte pretendimi se një grua, nënë e dy fëmijëve, është intimiduar nga prokuroria për të dhënë dëshmi nën presion, çka ai e cilësoi si një praktikë të papranueshme. Ai theksoi se ky është një precedent i rrezikshëm dhe se ka informuar Ministrin e Drejtësisë për këtë çështje.
Kryeministri nuk kurseu as opozitën, të cilën e quajti “kënetë” që kërkon të përdorë drejtësinë për të sulmuar qeverinë. Ai e akuzoi opozitën se, nga njëra anë, kërkon të shkrijë drejtësinë, ndërsa nga ana tjetër i dërgon SPAK-ut ankesa e letra anonime për të goditur mazhorancën.
Por mes gjithë kësaj narrative të fuqishme, Rama e vendosi veten në një pozicion të qartë si padishahu që “mbron drejtësinë e pavarur” dhe që kërkon një sistem të bazuar në profesionalizëm dhe integritet. Ai paralajmëroi se drejtësia nuk mund të funksionojë mbi bazën e perceptimeve dhe statistikave, por duhet të prodhojë rezultate reale në luftën kundër korrupsionit, kudo që ai ndodhet.
Në thelb, kjo ishte një përpjekje për të vendosur një vijë të qartë mes drejtësisë së reformuar dhe asaj që ai e sheh si një institucion që po devijon nga interesi politik i tij. Ky fjalim është një përpjekje për të ushtruar presion duke ftuar qindra subjekte që po heton SPAK-u të dëgjohen para Grupit Parlamentar të PS dhe Ramës. Përplasja mes Ramës dhe drejtësisë sapo ka hyrë në një fazë të re dhe më të tensionuar. Ndoshta tashmë Rama ka kuptuar se iku koha e “Kimetes” tek selia e rrugës së Elbasanit që i jepte ‘bar’ opozitës sipas tekave dhe dëshirës së padishahut.
Krisja e madhe me “Zonjën Drejtësi” ndodhi kur i arrestuan Erion Veliajn pa patur asnjë informacion nga Ulsiu apo Ervini i Rendit. Por sinjalet nga FBI për dosjen e “McGonical” që SPAK mund ta aktivizojë , frika për Ballukun, Krifcën, Gysin, Engjëllin, Dallëndyshen e dhjetëra dosje të nxehta për pastrim parash në trustin e betonit, para zgjedhjeve e kanë prishur ekuilibrin e padishahut, i cili nuk planifikon dot asgjë brenda javës se çfarë sjellë sekondi nga SPAK nuk e sjell minuti.