Në një dalje të papritur publike, Papa Leoni XIV zgjodhi një vend të veçantë për zemrat e shqiptarëve, Shenjtëroren e Nënës së Këshillit të Mirë në Gjenacan, pranë Romës.
Ky vend i shenjtë ruan figurën e Zojës së ardhur nga Shkodra, e strehur atje nga urdhri i augustinianëve, të cilit i përket edhe vetë Ati i Shenjtë. Papa mbërriti në shenjtërore pasditen e sotme rreth orës 16:00.
Shenjtërorja në Gjenacan ka një histori të thellë për shqiptarët. Sipas traditës, Zoja u largua nga Shkodra për të shpëtuar nga pushtimi osman dhe mbërriti në Itali.
Augustinianët i ndërtuan një kishë ku çdo vit shtegtojnë shqiptarë nga e gjithë bota. Edhe këtë vit, më 25 maj, në të dielën e fundit të muajit, besimtarët do të mblidhen për meshën solemne të udhëhequr nga Imzot Gjergj Meta, kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, raporton Vatikan News.
Figura e Zojës së Këshillit të Mirë ka qenë gjithashtu shumë e dashur për Papën Leoni XIII, paraardhës i Papës aktual me të njëjtin emër, i cili në vitin 1903 e ngriti këtë kishë në rangun e një bazilike minore.
Ndër papët që kanë vizituar këtë vend të shenjtë janë edhe Papa Gjoni XXIII më 1959 dhe Papa Gjon Pali II më 1993, para nisjes për vizitën e tij historike në Shqipëri, ku dërgoi një kopje të figurës së Zojës në Shkodër.
Papa Leoni XIV e kishte vizituar për herë të fundit Gjenacanin si kardinal, më 25 prill 2024, për festën e “Ardhjes” së Zojës. Në homelinë e tij të atëhershme, ai theksoi përkushtimin ndaj Marisë dhe bëri thirrje për paqe e pajtim në botë.
Sot pasdite, Papa mbërriti në Gjenacan me një makinë modeste Volkswagen, i ulur në sediljen e përparme. Turmat e njerëzve e përshëndetën me duartrokitje dhe brohoritje, ndërsa banorët dolën në ballkone për ta parë.
Pasi hyri në kishë, Papa përshëndeti besimtarët e pranishëm dhe u ndal për t’u lutur para altarit dhe figurës së Zojës. Së bashku me të pranishmit, ai recitoi lutjen e Papa Gjon Palit II drejtuar Nënës së Këshillit të Mirë.
Pas lutjes, Papa Leoni XIV iu drejtua besimtarëve brenda kishës dhe atyre jashtë saj, duke theksuar dëshirën për ta nisur misionin e tij si Pasardhës i Shën Pjetrit pikërisht në këtë vend të dashur.
Ai kujtoi vizitën që bëri si epror i përgjithshëm i urdhrit të Shën Augustinit dhe ritheksoi besimin e tij në Zojën si “shoqe udhe, dritë dhe urtësi”. Duke cituar fjalët e Marisë nga Ungjilli i Gjonit në Dasmën e Kanës, ai shtoi: “Bëni gjithçka që t’ju thotë!”
Vizita përfundoi me një takim privat të Papës me bashkësinë e augustinianëve në një sallë të brendshme të shenjtërores.