Ben Blushi
Isha i ftuar në Gramsh në një takim me lexues.
Provincat shqiptare janë muzetë e fundit që tregojnë si ka qenë jeta në socializëm.
Në këtë qytet nuk ka asnjë pallat të ri, nuk ka semafor dhe nuk ka parkingje me lekë.
Ndoshta nuk ka as autobuz sepse Gramshi është shumë i shkurtër dhe një rrugë i bashkon të gjitha shtëpitë.
E sigurt është që nuk ka ashensor dhe as dyqane bicikletash.
Kaosi i trafikut nuk njihet dhe kudo ta lesh makinën, je jo më shumë se 70 hapa larg nga shtëpia.
Lajmi i fundit i madh që ka prodhuar Gramshi, ishte tre vjet më parë kur tre rusë u arrestuan duke filmuar një uzinë ushtarake që nuk punon më.
Por tani rusët janë liruar nga burgu dhe fama e Gramshit si një qytet spiunazhi është fashitur.
Sipas Chat GPT, lajmi më i rëndësishëm në këtë qytet është arrestimi i një kryetari partie sepse ishte dehur. Kjo ka ndodhur në korrik të vitit 2018. Që atëherë turistët janë dyfishuar, por ata rrinë nëpër male dhe nuk i shikon në qytet.
Çdo mbrëmje në ora 6 rruga kryesore bllokohet nga policia dhe njerëzit bëjnë xhiro në këmbë.
Ata që nuk e kuptojnë dot se si ka akoma qytete si ky duhet të dinë se nga ora katër deri në ora gjashtë të gjithë flenë.
Televizorët mbyllen, tenxheret me presion pushojnë, makinat ndalojnë dhe cdo banor respekton heshtjen duke mos folur as me veten.
Nëse të bije rruga për në Gramsh, në këto orare gjumi nuk do gjesh asnjeri përvec ndonjë maceje, edhe ajo duke fjetur në hijen e një peme.
Pas dremitjes së përgjithshme, qyteti zgjohet nga ora gjashtë e gjysëm dhe njerëzit fillojnë shëtitjen kolektive.
Vajzat ecin më shpejt, mamatë ulen nëpër stola, ndërsa pleqtë laujnë domino.
Gramshi ka shumë lule dhe ky dekor e bën qytetin më miqësor edhe kur nuk njeh asnjeri.
Sipas zakonit të vjetër socialist kamarierët ujisin trotuaret para lokalit, me zorra të gjata
Prandaj pasditja është e freskët edhe kur bën zagushi.
Asfaltet e Gramshit ujiten çdo ditë falas nga banorët e tij dhe bashkia nuk harxhon për larjen e rrugëve. Unë arrita aty në kohën e gjumit dhe shëtita pak derisa njerëzit që do më takonin u zgjuan.
Natyrisht ishin pak. Disa vajza të vogla shumë të bukura dhe disa mësuese që ishin veshur me rroba të reja.
Askush nuk kishte lexuar asgjë nga unë, me përjashtim të një mësuesi të verbër që jepte mësim në gjimnaz. Ndoshta për shkak të gjumit të drekës, mësueset më bërë disa pyetje që nuk i kuptova mirë, ndërsa nxënëset ishin më të qarta.
U përpoqa t’i zgjoj pak duke ju treguar se shumë vjet më vonë edhe në Gramsh do vinë robotët shtëpiakë të Elon Muskut që do bëjnë shumicën e punëve të grave.
Mësueset ikën të gjitha të gëzuara se nuk ta arrijnë këtë ditë dhe nuk ka asnjë arsye për tu stresuar para kohe.
Kjo ishte pak a shumë biseda ime me lexuesit e Gramshit.
U dhashë disa kopje të romanit tim Parajsa Artificiale dhe rrugës për në Tiranë mu duk sikur po kthehesha nga një Parajsë Natyrale.
Do shkoj prapë një ditë të marr pjesë në xhiron e pasdites.
Me siguri do takoj dikë që do ta ketë lexuar këtë shkrim dhe do qeshim bashkë.