Paralajmërimi i Shehajt: Fati i Ramës, në arrati ose në burg

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Kryetari i Partisë “Mundësia” theksoi se opozita nuk mund të fitojë besimin e qytetarëve pa u perceptuar si forcë e sinqertë dhe realisht ndryshuese. Sipas tij, publiku kërkon alternativa të besueshme, jo figura që flasin për ndryshim, por nuk e përfaqësojnë atë.

Ai vlerësoi proceset e fundit në sistemin e drejtësisë, duke u shprehur se shumë zyrtarë të korruptuar po përballen më në fund me ligjin. Por njëkohësisht, nuk kurseu kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin deklaroi se “fati politik është i mbyllur”.

Sa i përket zhvillimeve të fundit, ai shtoi:

“Të korruptuarit po dalin para drejtësisë dhe qytetarët nuk duhet të ndikohen nga komentatorë që paguhen për të mjegulluar realitetin. Nuk mund të justifikohet mbajtja e një ministre të kapur në aferë me argumentin se rrezikojmë marrëdhënie me vende të tjera. Kryeministri paraqet gjithmonë të njëjtin skenar: ose me të korruptuarën, ose me asgjë. Por realiteti është se rruga e tij ka marrë drejtim tjetër dhe nuk është caktuar këtu në Shqipëri.”

Duke folur për skenën politike, ai theksoi se vendi nuk mund të vazhdojë të mbetet mes listave më të korruptuara në rajon dhe se, sipas tij, Rama përballet vetëm me dy alternativa: “arrati ose burg”.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të mendojmë seriozisht për të ardhmen e vendit,” vijoi ai, duke theksuar se çdo forcë politike duhet të pozicionohet qartë: në krah të drejtësisë apo të korrupsionit. Ai shtoi se bashkëpunimi me disa formacione politike është i vështirë, duke përmendur qasje antiamerikane dhe mentalitete të vjetra që nuk e ndihmojnë procesin.

“Unë jam i gatshëm të shtrij dorën për bashkëpunim. Më pas, mbetet për t’u parë se kush është vërtet i gatshëm të ecë drejt një Shqipërie me më shumë drejtësi dhe më pak korrupsion,” përfundoi ai.

Publikuar nga Publik Media