Naim Noka
Rasti i Belinda Ballukut është manifestimi më i pastër i një sistemi ku pushteti politik ndërhyn drejtpërdrejt mbi drejtësinë dhe më pas kërkon kredenciale europiane.
Votimi i 12 marsit nuk ishte akt procedural. Ishte deklaratë politike. Kur mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama refuzoi autorizimin për arrestim të kërkuar nga SPAK, mesazhi për Brukselin u artikulua pa ambiguitet: drejtësia funksionon deri aty ku nuk prek pushtetin.
Në tryezën e Këshillit të Bashkimit Europian, përmes forumit teknik COELA, nëntë shtete anëtare vendosën të ndalin ritmin. Për një arsye të vetme: mungesë besimi.
Ky është thelbi i dështimit: Shqipëria nuk po penalizohet pse po “nxin” realitetin opozita e Berishës, por për atë që nuk besohet se e zbaton në praktikë sipas ligjeve shqiptare.
Instrumenti IBAR nuk është raport. Është filtër politik i maskuar si teknik. Dhe ky filtër nuk kalon kur një vend kandidat demonstron se mund të bllokojë drejtësinë me shumicë votash, kur kapet me presh në duar zv/kryeministrja e Shqipërisë.
Ramës i kanë mbaruar edhe rrenat, pasi lista e vendeve skeptike nuk është periferike: Gjermania, Holanda, Austria, Suedia, Finlanda, Polonia, Greqia, Bullgaria, Luksemburgu. Këto janë shtetet që përcaktojnë tonin e zgjerimit. Kur këto dyshojnë, procesi ndalet.
Argumentet e tyre konvergojnë në disa sektorë: pronë, pakica, klimë biznesi, IPARD. Por të gjitha ndalen në një pikë të vetme: shteti i së drejtës, sipas Europës, është i panegociueshëm politikisht.
Kjo është arsyeja pse qëndrimi pozitiv teknik i Komisionit Europian nuk ka peshë vendimtare. Në arkitekturën e BE-së, progresi teknik pa besim politik është zero.
Ndërkohë, narrativa në Tiranë vazhdon në një dimension paralel. Optimizmi publik i Ramës, që flet si “kodra pas bregut”, nuk përputhet me gjuhën e Brukselit. Kjo nuk është diferencë interpretimi. Është hendek realiteti.
Kontrasti me Malin e Zi është ilustrues. Podgorica kalon IBAR-in me probleme të njohura. Tirana ngec pavarësisht retorikës së reformës. Diferenca nuk është performanca në letër. Është perceptimi i kontrollit politik mbi drejtësinë.
Në këtë kontekst, rasti Balluku shndërrohet në simbol dhe është i dukshëm: një test publik ku politika ndërhyri dhe dështoi testin.
Pasaporta europiane nuk jepet me deklarata dhe podkaste. Jepet me prova të matshme të ndarjes së pushteteve. Në momentin që parlamenti përdoret si mburojë imuniteti për ministra të hetuar dhe të pandehur, procesi i integrimit zhvendoset nga Brukseli në sallën e Kuvendit.
Vendimi i 12 marsit nuk mbrojti një ministre. Ekspozoi një sistem dhe i shfryu tullumbacen e integrimit kryeministrit. Mandatin tjetër ndoshta do të na thotë se nuk na duhet integrimi, sepse Europa ka probleme. “Delet e votave” tashmë janë mësuar me gënjeshtra të trasha dhe përrallat e negociatave.
Dhe për sa kohë ky sistem mbetet i pandryshuar, çdo raport pozitiv, çdo konferencë, çdo deklaratë integrimi mbetet një dokument pa peshë reale në tavolinën e Bashkimit Europian. Ndaj, ta gëzojmë pasaportën e Belinda Ballukut. SPAK-u duhet t’ia kthejë pasaportën sa më parë, drejtueses politike të Qarkut Fier, sepse kot e pengon të dalë për turizëm në Europë. Nuk harxhohen lekët në Ballsh e Divjakë.







