Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM) ka reaguar me forcë ndaj kërkesës së Partisë Socialiste për shtyrjen e orarit të votimit në disa qendra në qytetin e Vlorës, për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Giro d’Italia”.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, PD e cilëson këtë kërkesë si një abuzim të papranueshëm me procesin zgjedhor dhe e konsideron atë si një manovër për të favorizuar propagandën qeveritare në ditët e fushatës zgjedhore.
Përmes një letre drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PD–ASHM kërkon që kjo kërkesë të refuzohet, duke e cilësuar si një shkelje të parimeve themelore të një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.
PËRGJIGJE NDAJ KËRKESËS SË PS PËR SHTYRJE TË ORARIT TË VOTIMIT NË QARKUN VLORË
I nderuar z. Celibashi,
Duke iu referuar kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste për shtyrjen e orarit të votimit në disa qendra në qytetin e Vlorës, për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Giro d’Italia”, ju informojmë se Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM) është kategorikisht kundër këtij propozimi.
Ky aktivitet, i organizuar nga vetë qeveria aktuale në ditët më kritike të fushatës zgjedhore, përfshirë ditën e heshtjes dhe tani edhe ditën e zgjedhjeve, ka karakter të qartë propagandistik dhe shërben më shumë për qëllime elektorale dhe promovimi. Të shpenzosh mbi 7 milionë euro nga fondet publike për një shfaqje të tillë, dhe më pas të kërkosh edhe shtyrje të orarit të votimit për t’ia përshtatur axhendës së kësaj ngjarjeje, është një abuzim i papranueshëm me procesin zgjedhor.
Duhet shtuar se për dy ditë me radhë është ndaluar lëvizja e lirë në territorin e Tiranës, janë pamundësuar aktivitetet politike të opozitës dhe i është mohuar e drejta kushtetuese subjekteve politike për të komunikuar me qytetarët në ditët vendimtare të fushatës. Ky precedent shkel parimet themelore të një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.
Qëndrimi ynë është i qartë: zgjedhjet nuk mund të përshtaten me orarin e propagandës qeveritare. Është procesi zgjedhor që duhet të ketë përparësi absolute. Nëse aktiviteti sportiv bie ndesh me rregullsinë e zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe jo mbi qytetarët apo institucionet zgjedhore.
Për më tepër, një ndërhyrje e tillë e kërkuar nga PS vetëm pak orë para zgjedhjeve, cënon besueshmërinë e procesit dhe krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Kjo nuk është thjesht një çështje orari – është një çështje parimi dhe standardi demokratik.
PD–ASHM kërkon me forcë që kërkesa e PS të mos merret në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Çdo vendimmarrje në këtë drejtim do të konsiderohej nga ana jonë si një ndërhyrje e papranueshme në barazinë e garës dhe një minim i rëndë i integritetit të zgjedhjeve jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë qarkun.
Me respekt,
Franci NURI
PD-ASHM