Artan Hoxha
Për fat të keq humbëm një rast të madh për ta mundur Serbinë dhe për ti dhënë
vetes një mundësi për të shkuar në botërorin amerikan.
Përgjegjësi kryesor ishte trajneri Silvinjo. Një trajner i madh duket te detajet.
Trajneri ynë e ka humbur guximin dhe magjinë që na çoi në Euro 2024.
Silvinjo ka prishur tashmë edhe rregullat që i vendosi vetë ne fillim dhe korri sukses me to.
1)- Luajnë gjithnjë lojtarët më në formë.
2)-Luajnë lojtarët që janë stabël në skuadrën e vet dhe jo ata të cilët kanë përfunduar në stol.
3)-Luajnë lojtarët që djersisin më fortë në stërvitje.
4)-Penalltinë e godet lojtari që ka më shumë vetbesim dhe ka dëshmuar siguri dhe saktësi në kombëtare dhe në skuadrën e vetë.
Sot Sivinjo mbajti në fushë Rey Manaj
edhe pse ka dy muaj pa luajtur në skuadrën e vetë, Sivaspor, e cila u rrëzua nga kategoria në Turqi.
Silvinjo vendosi në formacion startues Manaj, i cili nuk u stërtvit për disa ditë me radhë për shkak të një helmimi.
Silvinjo e mbajti në lojë Manajn edhe pse e shikonte që po humbte çdo duel me topat në ajër me mbrojtësit serb.
Silvinjo e lejoi Manajn të ekzekutonte 11-metërshin, kur ai ka humbur penallti në kampionatin turk me skuadrën e vetë, ndërkohë Asllani u kthye në ekzekutuesin kryesor në ndeshjet e fundit të Inter në Seria A.
Si është e mundur, që lojtari, i cili gjuan penalltitë me saktësi 100% te finalisti i Champions League nuk mund të gjuajë penalltitë te skuadra kombëtare?!
Ndërrimet e Silvinjos u bënë me vonesë, Daku duhej të ishte në fushë nga fillimi. Manaj nuk duhej të ishte në formacion.
Hoxha ka muaj që e ka humbur vendin në formacionin e Dinamo Zagreb. Uzuni luan në çdo ndeshje me skuadrën e tij në SHBA. Duhej të ishte startues në vend të Hoxhës.
Barazimi i sotëm, përveç se na hoqi mundësinë e një fitore historike kundër Serbisë, të cilën e dëshironim aq shumë, na ka ulur ndjeshëm shanset për të shkuar në botëror.
Ky barazim dhëmb më shumë prej faktit se ishim skuadra më e mirë në fushë.