Në mes të qershorit të nxehtë, një “rrufe” ka goditur strukturën më të rëndësishme të drejtësisë në vend: një përplasje e papritur mes dy figurave më të fuqishme në SPAK, Altin Dumani dhe Arben Kraja ka sjellë tronditje në themelet e institucionit që supozohet të jetë simboli i drejtësisë së re.
Sipas burimeve brenda SPAK, konflikti ka qenë i ashpër, aq sa ka detyruar Dumanin të firmosë shkarkimin e menjëhershëm të Krajës nga posti i Drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë, duke e kthyer në një “prokuror të thjeshtë” në sektorin e krimeve ekonomike. Zyrtarisht nuk ka një arsye për këtë “ulje në gradë”, por burime pranë strukturës flasin për një përplasje të brendshme për pushtet, ndikim dhe vendimmarrje në një moment kritik për SPAK-un.
Në vend të Arben Krajës është emëruar Dorina Bejko, një prokurore e re që erdhi në SPAK fillimisht nga Pogradeci. Bejko, tashmë do të mbajë një nga postet më delikate të bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërsa vazhdon paralelisht të përfaqësojë akuzën në dosjet që ajo ka për ndjekje penale.
Kraja rrëzohet, por mbetet pjesë e komisionit për BKH-në
Ndërkohë që Kraja “degradohet” profesionalisht, ai nuk përjashtohet nga komisioni për përzgjedhjen e drejtorit të ri të BKH-së, për shkak të statusit si një nga tre prokurorët më të vjetër. Por, kjo situatë hedh hije të forta mbi procesin e zgjedhjes së drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një garë ku interesat politike dhe ndërkombëtare pritet të përplasen ashpër.
Kraja ka qenë vetë drejtuesi i parë i SPAK, nga dhjetori 2019 deri në dhjetor 2022, një periudhë ku shumë hetime të mëdha nisën, por pak u finalizuan. Ishte ai që solli kodet nga Eurojust dhe bashkëpunoi me Dubai-n për ekstradime, por që dështoi të çonte në fund çështje madhore si ajo e inceneratorëve.
Dumani: Shkarkimi i njeriut të Ramës në drejtësinë e re?
Altin Dumani, i konsideruar si një figurë më e fortë dhe më e pavarur, mbështetur fort nga SHBA, ka marrë sot një vendim që lexohet politikisht dhe profesionalisht si një sinjal i qartë: kontrolli i vjetër nuk funksionon më në SPAK.
Dumani kishte emëruar vetë Krajën në janar 2023 si drejtor të Marrëdhënieve me Jashtë, pas largimit të Ened Nakuqit, por mesa duket marrëdhënia e tyre ka degraduar plotësisht, për të përfunduar sot me retushimin e emrit të Arben Krajës nga zinxhiri drejtues i drejtësisë së re.
Ky vendim vjen ndërkohë që vetë Dumanit i skadon mandati në dhjetor 2025. Vendimi për të “hequr qafe” një figurë që perceptohej si e afërt me qeverinë, në këtë moment, mund të jetë manovra e fundit e një drejtuesi që kërkon të lërë pas një trashëgimi të pastër dhe të pandikuar politikisht.
Në SPAK ka nisur një betejë e heshtur, por e rrezikshme. Dhe ajo nuk është më mes prokurorëve dhe krimit por mes vetë prokurorëve.