Policia e Durrësit reagon pas denoncimit të “Shqipëria Bëhet”
Një kandidate e “Shqipëria Bëhet” në qarkun e Durrësit është kërcënuar këtë pasdite me armë, sipas kryetarit të kësaj partie, Adriatik Lapajt.
Sipas tij, “anëtarë të krimit të organizuar në Durrës i kanë prerë rrugën kandidates Valbona Myhedin dhe aktivistëve që e shoqëronin e i kanë treguar armën në brez për ta intimiduar”.
Kandidatja ka qenë duke zhvilluar takime me qytetarët në lagjen nr. 8, në shkollën Eftali Koçi ku po ndante programin elektoral. Lapaj thotë se për ngjarjen do të njoftojë edhe ambasadën amerikane, pasi Myhedini është shtetase amerikane, ndërsa bën thirrjen për hetimin e rastit dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve.
“Myhedin është edhe shtetase amerikane e për këtë do të njoftohet me urgjencë ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai i paburrë që ka guxuar t’i tregojë armën 2 grave ta dijë që do përgjigjet para ligjit. Kjo burracakëri nuk do kalojë lehtë. Nëse mendojnë se kthehemi pas, e kanë gabim! P.s personi në video është ai që ka kryer këtë akt të ulët. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të marrë masat e duhura!”.
Durrës, 5 maj 2025 Reagim të menjëhershëm nga autoritetet.
Në një deklaratë zyrtare për mediat, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës njofton se sapo është vënë në dijeni për rastin përmes rrjeteve sociale, ka nisur verifikimet dhe hetimet në terren.
I dyshuari u kap brenda pak orësh mjeti një pistoletë plastike
Rreth orës 21:15 të mbrëmjes së së dielës, forcat e policisë lokalizuan dhe shoqëruan shtetasin A.B., 45 vjeç, banues në Durrës, si personi që dyshohet se ka kryer kërcënimin. Sipas policisë, gjatë kontrollit fizik, A.B. kishte me vete një pistoletë plastike, të cilën e kishte vendosur në brez dhe dyshohet se ia ka treguar znj. V.M. në mënyrë kërcënuese, duke ngritur xhupin.
Probleme të shëndetit mendor, nën hetim nga Prokuroria
Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari është i evidentuar nga shërbimet psikiatrike për probleme të shëndetit mendor. Aktualisht ndaj tij po vijojnë veprimet procedurale nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Policia: Të angazhuar për sigurinë dhe të paanshëm në zgjedhje
Në fund të deklaratës së saj, Policia e Durrësit garanton qytetarët dhe subjektet politike se strukturat e saj janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor, duke vepruar në mënyrë të baraslarguar nga subjektet politike dhe vetëm në përputhje me ligjin.
Ky incident vjen në një klimë të tensionuar elektorale, ku siguria e kandidateve dhe transparenca në hetime do të mbeten në fokus të opinionit publik.