Po sikur në Shqipëri të ndërtohej një central bërthamor për Italinë?

Italia i rikthehet energjisë bërthamore – A do të bëhet Shqipëria “centrali” i saj?

Pas më shumë se katër dekadash, Italia ka vendosur të rikthehet në prodhimin e energjisë bërthamore. Ministri italian për Sigurinë e Energjisë dhe Mjedisit, Gilberto Pichetto Fratin, ka deklaruar se deri në vitin 2027 vendi do të rinisë këtë proces, por me një qasje të re: reaktorët modularë të vegjël (SMR).

Ky lajm vjen pas ndalimit të energjisë bërthamore në Itali në vitin 1987, pas katastrofës së Çernobilit, dhe pas një tjetër referendumi më 2011, që konfirmoi ndalimin. Megjithatë, qeveria aktuale e Giorgia Melonit e ka vënë këtë çështje në axhendë, duke sugjeruar se Italia nuk mund të përballojë më luksin e të qëndruarit larg energjisë bërthamore, veçanërisht në një kohë krizash energjetike globale.

Shqipëria në planin italian?

Ndërkohë që Italia planifikon të ndërtojë reaktorë të vegjël në territorin e saj, disa media italiane kanë risjellë në vëmendje një ide të vjetër, por mjaft provokuese: ndërtimi i centraleve bërthamore në Shqipëri për nevojat energjetike të Italisë.

Media italiane Staffetta Online shkruan:

“Po sikur në Shqipëri të ndërtohej një central bërthamor për Italinë? Ideja, që për momentin duket si një shaka, po qarkullon gjithnjë e më shumë pas vizitës së kryeministres Meloni në Abu Dhabi.”

Në qendër të spekulimeve janë marrëveshjet e fundit mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe homologes italiane Giorgia Meloni, përfshirë projektin për shtrimin e kabllove nënujorë për transferimin e energjisë nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas mediave italiane, këto kabllo mund të përdoren lehtësisht edhe për transportimin e energjisë bërthamore, nëse në Shqipëri ndërtohen reaktorë.

Një ide që rikthehet shpesh

Kjo nuk është hera e parë që përflitet ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri për të furnizuar Italinë. Në vitin 2023, kur u arrit një pakt për strehimin e refugjatëve nga Italia në Shqipëri, mediat italiane spekuluan edhe për ndërtimin e një centrali bërthamor me kapacitet 1.500 megavat, një projekt që do të kushtonte rreth 4 miliardë euro.

Të njëjtat zëra janë ringjallur pas nënshkrimit të marrëveshjeve të fundit ekonomike mes dy vendeve. Shqipëria, e cila po përpiqet të pozicionohet si një aktor i rëndësishëm në sektorin energjetik në rajon, mund të jetë një opsion i leverdishëm për Italinë.

Çfarë fshihet pas marrëveshjeve Rama-Meloni?

Raportet mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres Giorgia Meloni kanë qenë mjaft të ngushta kohët e fundit. Vizitat e ndërsjella dhe marrëveshjet për projekte strategjike, si ato në sektorin e turizmit dhe energjisë, kanë thelluar partneritetin mes dy vendeve.

Por skeptikët pyesin: A po bëhet Shqipëria një “zonë komode” për të trajtuar sfidat e ndjeshme të Italisë, nga refugjatët te energjia bërthamore?

Centrale bërthamore në Shqipëri: Mundësi apo rrezik?

Ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri do të kishte pasoja të thella politike, ekonomike dhe mjedisore. Nga njëra anë, një projekt i tillë mund të ofronte investime të mëdha dhe vende pune për vendin tonë. Por nga ana tjetër, ai do të ngjallte shqetësime për sigurinë bërthamore, ndikimin mjedisor dhe përdorimin e Shqipërisë si një “koloni energjetike” për Italinë.

Çfarë duhet të presim?

Për momentin, gjithçka mbetet në kuadrin e spekulimeve, por historia na ka mësuar se marrëveshjet mes qeverive shpesh përmbajnë detaje që nuk bëhen publike menjëherë. A do të jetë ndonjëherë Shqipëria shtëpia e re e energjisë bërthamore për Italinë?

Ajo që është e sigurt është se marrëdhëniet Rama-Meloni kanë hyrë në një fazë strategjike, ku energjia, refugjatët dhe ekonomia janë temat kryesore. Nëse kjo aleancë do të sjellë përfitime reale për shqiptarët, apo do të na vendosë në një pozitë delikate, mbetet për t’u parë.

Publikuar nga Publik Media