Naim Noka
Emigrimi masiv i shqiptarëve është një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë sonë sot. Me një numër të frikshëm prej rreth 2 milionë shqiptarësh të larguar drejt Perëndimit, dhe me 800 mijë pensionistë në vitin 2024, fenomeni ka marrë përmasa dramatike. Ata që kanë mbetur ndihen të mbytur në një vend pa perspektivë, të drejtuar nga politika që vazhdon të dështojë në ofrimin e një vizioni për të ardhmen. Ndërtesa gjigande shpojnë dita-ditës qytetin e Tiranës me para droge dhe korrupsioni, për miqtë e kryeministrit dhe oligarkët e lidhur me qeverinë. Miliarda euro hidhen në gropat e pallateve që hapen ku ka një copë tokë bosh. Prodhimet bujqësore dhe blektorale janë sporadike dhe pa mbeshtetje për shkak të korrupsionit dhe vjedhjes së fondeve të BE-së për bujqësisë. Pas 12 viteve kryeministër Rama po projekton “Shqipërinë e vitit 2030”. Vetë “Ali” e vetë “Kadi” po kontrollon çdo hallkë të pushtetit. Opozita që ka ngelur me shkrepse dhe flakadanë në xhepa, nuk po ndez shpresë dhe frymë deri në pranverën që po vjen. Makineria e përbindshme që punon me karburantin e parave të korrupsionit dhe drogës nuk jep shpresë se mund të ndryshojë qeverisja edhe për një mandat tjetër.
Shqiptarët që kanë mbetur këtu nuk shohin dritë në fund të tunelit,dhe nuk e mendojnë më Shqipërinë si vendin ku mund të ndërtojnë një jetë më të mirë.
Ata shohin një qeveri të pafuqishme, të mbytur në korrupsion dhe paaftësi, që përsërit premtime boshe, duke qarkulluar laj e thaj të njëjtat “kukulla”, ndërsa realiteti është katran me bojë. Rrogat mbeten të ulëta, dhe çdo ditë e më shumë të rinjtë e vendit kërkojnë një të ardhme diku tjetër.
Paaftësia për të zgjedhur dhe bllokimi institucional.
Në këtë rreth vicioz, shqiptarët nuk kanë as më të voglin besim në zgjedhjet demokratike, shumica i shohin si farsë të kontrolluar nga të njëjtat figura të njohura të tranzicionit.
Kjo mungesë perspektive e bën shoqërinë pasive, duke pranuar të keqen si një e keqe e pashmangshme. Kjo qeveri përpiqet të mbajë pushtetin përmes manipulimeve politike, ndërsa zëri i qytetarëve shpërfillet.
Qeveria Rama ka hyrë tashmë në dekadën e saj të dytë dhe gjithçka që kemi parë është vendnumëro. Retorika e një Shqipërie moderne 2030 dhe të zhvilluar, nuk ka lidhje me realitetin.
Njerëzit janë të lodhur nga premtimet, nga iluzionet për një ekonomi që nuk po përparon për qytetarët por po shkëlqen për oligarkët dhe klientët strategjikë të qeverisë. Drejtim politik i Ramës i ngjan një autokolone që ka ngecur keq në llucën e shirave që përmbytën Shqipërinë në pak orë shi .
Emigracioni: shpresë e fundit për shqiptarët
Në vend që të gjejnë punësim e mirëqenie brenda vendit, shqiptarët e kanë më të lehtë t’i drejtohen emigracionit dhe demokracisë së gatshme në perendim, si mundësia e vetme për një jetë më të mirë.
Kjo tendencë e vazhdueshme e braktisjes së vendit po shkatërron kapacitetin intelektual dhe profesional të kombit.
Po ashtu, të rinjtë, që duhet të jenë forca motorike e zhvillimit, po largohen nga sytë këmbët, pa dëshirën për t’u kthyer më.
Paradoksi me i mash është se vendi mbahet në këmbë nga remitancat e këtyre emigrantëve, të cilët vazhdojnë të mbështesin familjet e tyre. Në vend të një ekonomie të ndërtuar mbi punën dhe investimet brenda vendit, Shqipëria mbijeton falë kontributit të shqiptarëve që punojnë jashtë.
Humbja e perspektivës: një bllokim psikologjik dhe social
Shqiptarët sot janë të lodhur jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht. Mungesa e një vizioni të qartë për të ardhmen ka krijuar një ndjenjë të përgjithshme pesimizmi. Perspektiva, si një parim thelbësor i zhvillimit social dhe ekonomik, është zhdukur nga horizonti i tyre.
Qeveria aktuale nuk ka dhënë sinjale se do të ndryshojë këtë gjendje. Përkundrazi, Rama vazhdon të përsërisë frazat e një dekade më parë, ndërsa shqiptarët largohen një nga një.
Rama e ka filluar dekadën e dytë të qeverisjes me naftën më të shtrenjtë në Ballkan dhe Europë, me rrogat dhe pensionet me ulëta në Europë. Me çmimet e shportës më të kripura se italianët, gjermanët e francezët. Me arsim dhe shëndetësi ku thërret qameti, me një media të blerë, pa shoqëri civile, me sistem drejtësie gjoja të ri, as mish as peshk dhe që nuk ka shpresa që qytetari i thjeshtë të marrë drejtësi as sa shqiptari i Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Me një barrë milarda euro koncensione e PPP për ekonominë në vite. Me borxhet e gjyqeve të humbura si Becheti me shokë.
Në fund pyetja që nuk po merr kurrë një përgjigje është: A ka ende ndonjë shpresë për të rikthyer perspektivën dhe për të ringjallur besimin e shqiptarëve në vendin e tyre?
Deri atëherë, largimi i shqiptarëve do të vazhdojë të jetë një plagë që s’di të mbyllet në vendin e shqipeve derisa këtu të mbetet rreth 1 milion banorë si një shekull më parë.