Avokati Besnik Berisha, përfaqësues ligjor i administratorit të kompanisë “2A Group”, Valon Ademi, ka hedhur dritë mbi përplasjen e ashpër me biznesmenin kosovar Behgjet Pacolli, lidhur me aksionet dhe menaxhimin e aeroportit të Vlorës.
Sipas Berishës, konflikti nuk është personal, por ka të bëjë me mënyrën sesi janë trajtuar aksionet në këtë projekt strategjik. Ai sqaroi se mes palëve është arritur një marrëveshje për ndarjen e aksioneve në përpjesëtim 51% për Pacollin dhe 49% për “2A Group”, marrëveshje që u formalizua ditën kur kompania turke u tërhoq nga projekti.
“Kur turqit u larguan për mungesë fondesh, aksionet e tyre kaluan te MABCO Construction. Po atë ditë u nënshkrua marrëveshja mes zotit Pacolli dhe zotit Ademi. Dakordësia ishte për ndarje të barabartë, por u ra dakord që zyrtarisht të jetë 51 me 49, për shkak se Pacolli nuk ishte financiarisht gati për të mbuluar i vetëm gjithë projektin”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se gjatë gjithë procesit, puna në aeroport është realizuar nga “2A Group”, duke përfshirë investime që kalojnë shifrën e 23 milionë eurove, përfshirë dhe një kredi të marrë nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT) në Shqipëri.
Sipas tij, problemi ka nisur kur Pacolli mori një hua prej 100 milionë eurosh në Luksemburg, pa dijeninë e ortakut dhe jashtë marrëveshjes së përbashkët. Nga kjo shumë, vetëm 6 milionë euro kanë hyrë në Shqipëri dhe jo për qëllime të lidhura me aeroportin, ndërsa pjesa tjetër është transferuar në Kosovë, në një llogari të një kompanie tjetër të regjistruar nga MABCO.
“Ai ka vepruar pas shpinës së partnerit. Është futur një kompani ofshore, për të cilën nuk dihet kush qëndron pas. Kemi të bëjmë me një shmangie të qartë të marrëveshjes fillestare, që rrezikon jo vetëm interesin e ‘2A Group’, por edhe të shtetit shqiptar”, theksoi Berisha.
Ai sqaroi se aeroporti ishte vënë si kolateral në BKT për një shumë prej 56 milionë eurosh, ndërsa banka ishte informuar se aksionet ishin të ndara mes dy palëve, dhe jo në përqindjen 98% që, sipas tij, Pacolli ka tentuar të paraqesë.
Berisha shtoi se aktualisht, me vendim të gjykatës, Pacolli është pezulluar nga e drejta e kontrollit të plotë mbi kompaninë dhe pritet kalimi i 47% të aksioneve që i takojnë “2A Group”, ndërkohë që 2% janë regjistruar tashmë në emër të saj.
“Cili është konflikti që ne kemi dhe që kemi kallëzuar penalisht Pacollin. Nuk kemi konflikt personal me Pacollin, por subjektin që ka 81 për qind të aeroportit të Vlorës për kontratën që ka garantuar fillimin e bashkëpunimit. Bashkëpunimi me zotin Pacolli nuk ka qenë për të fituar një tender.
Zoti Pacolli ka hyrë vetë i treti në tender, me 58 për qind, kompania turke dhe Valon Ademi atëherë me 2 për qind. Turqit në mungesë të fondeve u tërhoqën dhe aksionet e tyre kanë kaluar te MABCO Construksion. Të njëjtën ditë është lidhur marrëveshja mes z. Pacolli dhe z. Ademi. Dakordanca ka qenë 50 me 50, por është lënë 49 me 51. Marrëveshja ka qenë në të njëjtën ditë sepse z. Pacolli nuk ka qenë i përgatitur financiarisht këtë si proces.
E gjitha puna në aeroportin e Vlorës kanë qenë punëtorët, menaxherët dhe inxhinierët e 2A Group. Kur është bërë gjithçka, 2A Group ka kryer punë që llogariten në mbi 23 milionë, bashkë me kapitalin e investuar dhe kredinë e marrë te BKT në Shqipëri. Aeroporti për shumën 56 milionë euro ka qenë i ngarkuar si hipotekë në BKT. Banka është informuar gojarisht se nuk është vetëm Pacolli si aksioner dhe aq më pak me 98 për qind dhe janë dy aksionerë, njëri 2A Group me 49 për qind dhe Pacolli me 51 për qind.
Deri këtu punët ishin në rregull, madje, aeroporti u testua dhe u bë një farë përurimi ku mori pjesë kryeministri, z. Pacolli që erdhi me aeroplanin e tij dhe valon Ademi, themelues i 2A Group. Partneri ynë është sjellë sikur ka 98 për qind dhe jo sikur edhe një partner tjetër me 49 për qind. Marrja e huasë në Luksemburg është kulmi i alarmit jo vetëm për investimin e 2A Group por edhe çështjen kombëtare.
“2A Group” me kontratën e noterizuar dhe autorizimit që ka dhënë ato aksione do të regjistrohen në QKB. Shqetësimi është shtuar kur është futur një kompani tjetër, ofshore dhe nuk e dimë se kush qëndron prapa. Ai ka negociuar prapa shpinës së ortakut. Për ekzistencën e kompanisë 2A Group, është alokuar një shumë 100 milionë euro, 6 milionë janë çuar në shtetin shqiptar, por jo për aeroportin dhe shteti shqiptar nuk ka qenë në dijeni dhe këto mjete kanë ardhur në Kosovë.
Është hapur një llogari tjetër në Kosovë e MABCO Construksion në Kosovë, një degë e shoqërisë në Zvicër dhe kjo kompani është bërë fole në shumës 40 milionë euro që ka ardhur në Kosovë.
Me z. Pacolli nuk ka konflikt personal, aksionet nuk i merr askush kur janë të paguara dhe të investuara. Kontrollin nuk e ka më z.Pacolli, por është pezulluar nga gjykata deri në kalimin e 47 për qind të aksioneve, sepse 2 për qind i kemi. Masa ka për qëllim mbrojtjen e aksioneve dhe të shtetit shqiptar”, tha Berisha.







