Kompania e vëllait të Gjiknurit mori 210 mln lekë për platformën që nuk punon

Kompania KREATX fitoi tenderin për platformën  “e-femije.tirana.al”

Më 22 qershor përfundoi afati zyrtar për regjistrimin e fëmijëve në çerdhet dhe kopshtet publike të Tiranës. Por ndryshe nga çfarë propaganda zyrtare e bashkisë promovon si “qytet digjital”, realiteti ishte një tjetër: dhjetëra prindër kanë mbetur në udhëkryq, pasi platforma “e-femije.tirana.al” ka qenë jashtë funksionit prej ditësh, duke pamundësuar regjistrimin e fëmijëve të tyre në sistemin publik.

Përkundër denoncimeve të shumta në rrjetet sociale dhe portaleve informative, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga ana e bashkisë së Tiranës. Kryebashkiakja e komanduar, Anuela Ristani, dhe drejtoresha e përgjithshme e çerdheve dhe kopshteve në Tiranë, Zhaneta Beqiri, kanë zgjedhur të heshtin dhe të injorojnë situatën e rënduar që ka lënë pa akses në edukimin parashkollor një numër të konsiderueshëm fëmijësh.

Asnjë njoftim zyrtar për prindërit, asnjë sqarim mbi problemet teknike që kanë bllokuar platformën, dhe mbi të gjitha – asnjë shtyrje e afatit për regjistrim.

Në vend të një sistemi që funksionon për të gjithë, Tirana e reklamuar si “smart city” ka mbetur një qytet me sisteme që bien në momentin kur qytetarët kanë më shumë nevojë për to. Prindërit ndihen të braktisur dhe të zhgënjyer. Ata kërkojnë urgjentisht rivënien në funksion të platformës “e-femije” dhe një proces të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë fëmijët.

Në një kohë kur Bashkia e Tiranës shpenzon miliona euro për reklama dhe show digjital, nuk është në gjendje të garantojë as një shërbim elementar: regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte. Heshtja e zyrtarëve vetëm sa e bën këtë skandal më të rëndë.

“Qyteti digjital” i Edi Ramës dhe Erion Veliajt është një fasadë që bie me një klikim. Ndërsa më 22 qershor përfundoi afati zyrtar për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte publike në Tiranë, realiteti për qindra prindër ishte i trishtë: platforma “e-femije.tirana.al” ishte jashtë funksionit për ditë me radhë, duke pamundësuar regjistrimin e fëmijëve të tyre.

Denoncimet janë të shumta dhe të përsëritura. Prindërit nuk kanë mundur të aksesojnë sistemin, kanë dërguar e-mail-e, kanë pritur me orë të tëra për ndihmë teknike   por askush nuk iu përgjigj. Në vend të një zgjidhjeje, i priti heshtja e bashkisë.

Por ajo që e bën edhe më të rëndë këtë skandal është fakti se kjo platformë që nuk funksionoi, i ka kushtuar qytetarëve 210 milionë lekë  nga taksat publike. Burime të sigurta tregojnë se pëe të njëjtën platformë po hapet tenderi 1.7 MLN euro edhe për siguriné kibernetike.

Përfituesi i këtyre fondeve është kompania KREATX, e cila sipas burimeve mediatike, është e lidhur me vëllain e Damian Gjiknurit, ish-ministër i PS dhe një nga njerëzit më të fuqishëm të sistemit të tenderëve klientelistë.

Sipas të dhënave zyrtare të Thesarit, Bashkia Tiranë ka firmosur dy pagesa për këtë platformë: një prej 240 mijë lekësh dhe një tjetër në vlerën tronditëse prej 21.360.000 lekësh, që sipas përshkrimit shkojnë për platformën online të regjistrimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte.

Nëse një sistem që nuk punon kushton 210 milionë lekë, çfarë garancie kemi që fondet publike po përdoren për qytetarët e jo për xhepat e klientëve politikë?

Të paguash miliona për një platformë që bie në ditët më të rëndësishme të funksionit të saj – është abuzim, dështim dhe tallje me qytetarët.

Në vend të përgjegjësisë, jepet heshtje. Në vend të ndëshkimit, jepet tenderi tjetër. Shqipëria digjitale e propagandës po rezulton një mashtrim i madh i sofistikuar, i mbështetur me faturë të kripur mbi shpinën e qytetarëve. Dhe viktimat e para janë fëmijët.

Publikuar nga Publik Media