Prokuroria e Tiranës kërkon burg përjetë për Dan Hutrën, killerin serial të grave

Prokuroria e Tiranës kërkoi dënim me burgim të përjetshëm për Dan Hutrën, i cili akuzohet për një seri vrasjesh të ndodhura më 1 mars 2023. Brenda disa orëve ai vrau tri gra dhe plagosi tri të tjera.

Në pretencën e lexuar ditën e sotme nga prokurori Enklid Gjini, organi i akuzës kërkoi tre dënime me burgim të përjetshëm për vrasje të kryera me paramendim dhe për shkak të lidhjeve familjare.

Për tre rastet e plagosjes u kërkuan dënime që variojnë nga 30 deri në 35 vite burg, ndërsa për akuzat e “sigurimi i kushteve për të kryer vrasje” dhe “mbajtje pa leje e armëve” prokuroria sugjeroi dënime më të lehta.

Referuar dosjes hetimore, Dan Hutra ka qëlluar me armë zjarri në zonën e Kodër-Kamëz, ku plagosi Elena Hysën, 35-vjeçe dhe Kujtime Hysën, 60-vjeçe, ndërsa ka vrarë Mevlute Hysën, 30-vjeçe, motra e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafkun 30-vjeçe e fejuara e vëllait të ish-bashkëshortes.

Pasi kreu këtë akt, ai është larguar drejt rrugës “Abdyl Elmazi” dhe më pas në “Rrugën e Arbrit” dhe në “Besëlidhja”, në Bathore, ku ka ndaluar pranë banesës së familjes Kurti, duke ekzekutuar me armë zjarri Etleva Kurtin, 31 vjeç.

Gjykata ka vendosur të shtyjë seancën për më 14 maj, për t’i dhënë kohë mbrojtjes të përgatitet për paraqitjen e qëndrimit në gjyq.

Publikuar nga Publik Media