Protesta e PD ditën kur në Tiranë mbërrijnë liderët e BE, Berisha: Do i informojmë që i ka ftuar një narkodiktator

Kreu i PD Sali Berisha ka paralajmëruar se Partia Demokratike do të mbajë protestë më datë 16 maj në Tiranë.

Në këtë ditë do të mbahet edhe Samiti i BE-së në Tiranë dhe kryeqyteti do të jetë nën masa të rrepta sigurie.

Berisha tha se protesta e opozitës do të jetë paqësore dhe nuk do ta cenojë aspak Samitin europian.

“Protesta do të jetë paqësore. Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij”, u shpreh Berisha.

Sali Berisha: Zgjedhjet e 11 majit u diktuan që të gjitha nga krimi, bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale.  Skenat që ju patë në Vorë ku banda e Xhabaftit diktoi në mënyrë të dhunshme vullnetin e qytetarëve të Vorës në të cilat kryebanditi Blendi Xhabafti mori 10  herë më shumë se kandidati i dytë në lista. Kuptoni se si janë zhvilluar zgjedhjet. Por skenat ishin të zakonshme në një seri qarqesh dhe bashkish të tjera Durrës, Peshkopi, Elbasan, Fier dhe zona të tjera.

Në çdo aspekt këto ishin zgjedhjet më të grabitura, më të plaçkitura dhe më të dhunuara në tërë historinë elektorale të Shqipërisë pluraliste. Kurrë ndonjëherë bandat nuk kanë prurë kaq shumë përfaqësues të tyre në Parlamentin shqiptar sa në këtë Parlament. Nga veriu në jug, nga lindja në perëndim. Mund t’ju them ju se në rrethin e Durrësit, bandat punonin për deputetë të veccantë. Tjetër Balla, tjetër Dyrmishi, tjetër ky e ai. Dhe jo më pak në Elbasan kjo skenë. Po kështu në Fier, Mallakastër. Pra këto ishin zgjedhje që u sunduan si asnjëherë më parë nga vrasës, serialkiller, dhunues, trafikantë, përdhunues.

Zgjedhjet e 11 majit u karakterizuan nga blerja publike më masive në tërë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Zarfi me 100 euro i dërguar në mes të fushatës elektorale dhe amnistia prej 2 milionë euro gjoba dhe kamata 2015-2025 është blerja publike më e fuqishme që ka ndodhur në historinë e vendit. PD garanton se protesta do jetë paqësore dhe se Samiti i BE nuk do cenohet

Pjese nga deklarata e Sali Berishes, 13 maj 2025

Berisha: Ky krim është po kaq monstruoz në diasporë.

Ju e morët vesh besoj, se si në kutinë e Beratit për diasporën dilte PS 99.6 për qind.

Pra, kemi të bëjmë me Korenë e Veriut.

Kjo është e vërteta.

Në qoftë se nga Greqia, ardhja me postë të zakonshme çdo ditë para se famëziu, krimineli Balla të shkonte me hordhinë e patronazhistëve në Greqi, ishte 1000-1300 zarfe, pas dërgimit të kriminel Ballës në Greqi, kanë ardhur 6 mijë zarfe, të gjitha të manipuluara.

Ju besoj se po e ndiqni numërimin e votave në diasporë se si ato janë me shenjat më të sigurta të falsitetit dhe manipulimit.

Thirrja ime është kjo për të gjithë komisionerët që po bëjnë punë me vetëmohim, të numërojnë çdo votë në dëshmi të respektit tonë të palëkundur ndaj atyre që në kushte terrori kanë votuar për opozitën.

Të regjistrojnë dhe të mbajnë shënim çdo parregullsi.

Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet.

Protesta do të jetë paqësore.

Ne garantojmë se nuk do ketë probleme që të cenojnë në shkallën më të vogël sigurinë e dinjitarëve që vijnë, por duam që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj as moral për votën dhe vullnetin e qytetarëve të tij.

Publikuar nga Publik Media