Prurjet e emigrantëve kapërcejnë kufirin e 1 miliardë eurove – një rekord historik që tregon një realitet kompleks ekonomik

Shqipëria arkëton 4.99 miliardë euro nga të huajt në 2024

Ky është grafiku që paraqet rritjen e vazhdueshme të remitancave nga emigrantët drejt Shqipërisë gjatë viteve 2013–2024, duke kulmuar në mbi 1 miliardë euro në vitin 2024. 

Për herë të parë në historinë e tranzicionit të gjatë ekonomik të vendit, remitancat – paratë që emigrantët sjellin për familjet e tyre në Shqipëri – kanë kaluar kufirin simbolik të 1 miliardë eurove. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë për vitin 2024 flasin për 1.05 miliardë euro të ardhura nga emigrantët, duke shënuar një rritje prej 12.5% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Ky është një nivel rekord që nuk vjen rastësisht, por si pasojë e një cikli të ri dhe të përshpejtuar emigracioni, që nisi veçanërisht pas vitit 2015. Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë viteve 2022 dhe 2023 janë dhënë rreth 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian. Vetëm në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje të tilla, ndërsa një vit më parë, numri arriti në 79.2 mijë – shifra më të larta që nga viti 2010.

Ky intensifikim i emigracionit, i ndihmuar nga ndryshimet ligjore dhe kontratat e ligjshme të punës në vende si Gjermania, ka krijuar një prurje të re të valutës në ekonominë shqiptare. Ndryshe nga vala e parë e emigracionit pas viteve ’90, që pas 10-15 vjetësh zbehu lidhjet me vendin amë, emigracioni i ri është ende në fazat e para, dhe remitancat janë në kulmin e tyre.

Por ky realitet ka dy anë. Nga njëra anë, remitancat kanë ndihmuar ndjeshëm ekonominë familjare shqiptare, sidomos në një kohë inflacioni dhe pasigurie. Ato përbëjnë një burim jetik për shumë familje që mbijetojnë me ndihmën e të afërmve jashtë vendit. Nga ana tjetër, prurjet kaq të larta ngrejnë pikëpyetje mbi strukturën e ekonomisë shqiptare dhe varësinë e saj kronike nga paratë e emigrantëve.

Për më tepër, një pjesë e këtyre parave nuk ka origjinë tërësisht formale. Banka e Shqipërisë e llogarit këtë fluks si pjesë të bilancit të pagesave, përfshirë edhe burime informale. Ekspertët tregojnë se një pjesë e remitancave lidhet me ekonominë gri dhe investohet në ndërtim ose blerje pasurish të paluajtshme, veçanërisht në zonat turistike, ku paraja informale lulëzon pa kontroll.

Destinacionet tradicionale si Greqia dhe Italia vijojnë të jenë burimi kryesor i remitancave, por vitet e fundit një ndikim gjithnjë e më të madh po japin edhe Anglia dhe Gjermania – vende që kanë ofruar më shumë mundësi punësimi të ligjshëm dhe emigracion të strukturuar.

Një ekonomi e mbështetur te jashtë – Rekord edhe nga turizmi, Shqipëria arkëton 4.99 miliardë euro nga të huajt në 2024

Ndërkohë që remitancat nga emigrantët kapërcyen për herë të parë pragun e 1 miliardë eurove, një tjetër burim i fuqishëm i valutës për Shqipërinë në vitin 2024 ishte turizmi.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave, të ardhurat nga udhëtimet e të huajve në vend arritën një nivel rekord prej 4.99 miliardë euro, me një rritje 19.6% krahasuar me vitin e kaluar. Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në historinë e vendit dhe pothuajse dyfish më shumë se në vitin 2019, përpara pandemisë, kur prurjet ishin rreth 2 miliardë euro.

Turizmi nuk është më një fenomen sezonal. Të dhënat tregojnë se për herë të parë edhe në tremujorin e dytë dhe të katërt, të ardhurat nga turizmi kaluan shifrën e 1 miliard eurove (1.16 dhe 1.13 mld €), ndërsa kulmi, si zakonisht, mbetet tremujori i tretë me 1.9 miliardë euro. Kjo tregon për një zgjatje të sezonit turistik dhe për konsolidimin e Shqipërisë si një destinacion gjithëvjetor.

Në total, sipas INSTAT, gjatë vitit 2024 në vend hynë 11.7 milionë të huaj, me rritje 15.2% në raport me një vit më parë – një tjetër rekord i ri historik. Megjithatë, muajt e parë të vitit 2025 po japin shenja të një ngadalësimi të ritmit të rritjes, duke reflektuar ndoshta një ngopje të tregut apo konkurrencë më të fortë nga rajoni.

Shqiptarët udhëtojnë më shumë, por shpenzojnë më pak se të huajt

Nga ana tjetër, edhe shqiptarët po udhëtojnë më shumë jashtë vendit. Lehtësimi i lëvizjes, biletat low-cost dhe linjat e reja direkte drejt shumë qyteteve europiane kanë nxitur një bum të udhëtimeve jashtë. Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit në 2024 arritën në 2.7 miliardë euro, me një rritje 15.6% krahasuar me vitin e kaluar. Po ashtu, numri i daljeve jashtë vendit arriti 7.9 milionë, me rritje 14% në bazë vjetore.

Bilanci i turizmit: +2.3 miliardë euro

Përfitimi neto i ekonomisë shqiptare nga lëvizja ndërkombëtare është thelluar ndjeshëm. Nëse më shumë se një dekadë më parë të huajt shpenzonin afërsisht sa shqiptarët jashtë vendit, tashmë diferenca është thelbësore. Në 2024, bilanci i udhëtimeve ishte pozitiv me 2.3 miliardë euro, me një rritje gati 25% me bazë vjetore.

Ndërsa Shqipëria përfiton përkohësisht nga ky fluks, sfida afatgjatë mbetet e njëjtë: Si të ndërtohet një ekonomi e qëndrueshme, që nuk mbijeton nga paratë e atyre që kanë ikur, por që krijon mundësi reale për ata që ende janë këtu. Remitancat janë një ndihmë, por nuk mund të zëvendësojnë zhvillimin.

Publikuar nga Publik Media