Një realitet i hidhur politik
nga Landi Çela
Zgjedhjet po mbyllen dhe rezultati është i qartë: Partia Socialiste fiton mandatin e katërt me një diferencë të ndjeshme ndaj Partisë Demokratike.
Por pse humbi opozita?
Së pari, mungesa e aleatëve. PL-ja (ish-LSI) është një parti e shkrirë, me drejtues në burg. PDIU-ja, dikur me dhjetëra mijëra vota, këtë radhë është “shitur” hapur PS-së.
Së dyti, copëtimi i votës së djathtë. Agron Shehaj, Adriatik Lapaj dhe Lulzim Basha kanë marrë mbi 150 mijë vota që dikur do i kishte PD. Vota të shpërndara, mandate të humbura.
Së treti, formulë zgjedhore që favorizon të fortët, dhe një PS që ruajti çdo votë. Socialistët futën votat në një thes. Demokratët, në pesë thasë të ndryshëm.
Ndërkohë që Rama mblidhte vota, opozita merrej me grindje dhe primare. Dhe rezultati është ky: një mazhorancë thuajse kushtetuese për Ramën, dhe një opozitë e cila humbi jo vetëm zgjedhjet, por edhe sensin e bashkimit.
Në fund, nuk munguan votat por mungoi unifikimi. Pa një opozitë të bashkuar, PS nuk ka nevojë të fitojë më shumë, i mjafton që kundërshtarët të marrin votat e njëri-tjetrit.
Një realitet i ri opozitar
Zgjedhjet e 2025 tregojnë qartë se e djathta shqiptare nuk është më një trup i vetëm politik, por një grup fragmentesh që konkurron njëri-tjetrin më shumë se qeverinë. Votat nuk mungojnë mungon organizimi, bashkimi, dhe mbi të gjitha besimi qytetar tek uniteti i opozitës.
Ndërkohë, PS-ja i ka ruajtur votat e saj, duke u mbështetur në një bërthamë prej 700-800 mijë votuesish të qëndrueshëm, të cilët as nuk e braktisin dhe as nuk shpërndahen. Edi Rama hyri në zgjedhje me të gjitha avantazhet e pushtetit, të infrastrukturës shtetërore dhe një opozitë të përçarë përballë – një skenar i përsosur për një fitore të re të thellë.
Çfarë na mësojnë këto zgjedhje?
- Një opozitë pa koalicion efektiv dhe pa aleatët e vjetër është e destinuar të humbasë.
- Partitë e reja janë bërë faktor dhe jo më vetëm zëra periferikë. Lapaj dhe Shehaj janë realitet elektoral dhe duhet të lexohen si të tillë.
- PD-ja duhet të rifillojë nga themeli, jo vetëm në organizim, por në filozofi politike dhe kohezion.
- Fushata opozitare ishte më shumë moralizuese sesa mobilizuese. Në kohën kur Rama bënte mobilizim, PD merrej me grindje brenda vetes dhe primare që nuk sollën asgjë konkrete në rezultate.
Zgjedhjet e 2025 nuk i fituan socialistët për shkak të ndonjë valë të madhe entuziazmi popullor, por i humbi opozita për shkak të vetëshkatërrimit të saj politik. Ajo humbi jo vetëm përballë Ramës, por përballë vetvetes, përballë mungesës së bashkimit, përballë realitetit të ri pluralist brenda së djathtës dhe përballë një formule zgjedhore që ndëshkon ndarjen.
Ky rezultat duhet të jetë një kambanë e fundit alarmi për ata që duan të bëjnë opozitë reale në Shqipëri. Nëse kjo opozitë nuk reformohet radikalisht, nuk bashkohet realisht, dhe nuk ofron një alternativë unifikuese, atëherë PS do të vazhdojë të qeverisë edhe pa fituar realisht zemrat e qytetarëve.