Andi Bushati
Materilalet filmike për manipulimin e votës që po publikon me një frekuencë këmbëngulëse opozita, jo vetëm që i kanë qesharakëzuar në maksimum këto votime, por ato kanë ngritur edhe një dyshim që po dëgjohet gjithnjë e më shpesh: Mos vallë jemi rikthyer edhe tek vjedhja në kuti?
Ky fenomen që ishte zhdukur nga garat elektorale shqiptare që në fillim të viteve 2000, periudhë prej së cilës manipulimet u bënë më sofistikuara, duke i dhuruar ditëve të zgjedhjeve togfjalëshin “të qeta dhe pa probleme”, duket se është rishfaqur. Ai ka rihapur debatin nëse sfidat zgjedhore të epokës Rama paracaktohen shumë kohë përpara datës kur njerëzit hedhin fletën në kuti, apo në të kundërt, hilet vijojnë deri në momemtin e fundit.
Kjo përplasje e re, e prodhuar nga ajo që po shohim me sytë tanë, i është mbivendosur edhe shumë dilemave të tjera që po shakatojnë polemika, pothuajse në çdo studio televizive, pas 11 majit. Sa ndikoi në këtë proces prezenca e grupeve kriminale? Po paraja e tyre e pisët që po betonizohet nga Tirana në Dhërmi? Sa rol luajtën aty mediat e kapura? Sa influencë pati fakti se opozita hyri në betejë me një sërë udhëheqësisht të saj të persekutuar politikisht nga “drejtësia”? Cila qe pesha reale e fragmentarizimit të saj, që u arrit, si falë lobingjeve alla McGonigal, të financuara me paratë e korrupsionit, po aq dhe falë gjykatave që qenë të vetmet që nuk i shikonin Bashën dhe Alibeajn si mbretër lakuriq dhe vijonin të mabanin të asfiksuar PD-në?
Në fakt, një gabim që bën shumica e këtyre debatuesve, madje mes tyre edhe eksponentë të opozitës, është se dikush e vë theksin tek njëri fenomen, e dikush tek një tjetër manipulim, duke pamundësuar që të shikohet se gjithçka që ka ndodhur është pjesë e së njëjtës tërësi. 11 maji sanksionoi përfundimisht se Rama dhe Rilindja nuk përfitojnë nga të çarat e sistemit, se ata nuk bëjnë hile, apo manipulime duke ia hedhur atij, por ata thjeshtë e kanë shkallmuar atë. Këto votime vulosën se Shqipëria nuk është më një demokraci dhe prandaj “zënkat” se cilët elementë të paligjshëm luajtën rol në rezultat janë thjesht budallallëqe naive.
“Nuk konkludohet kështu, me një të rënë të Lapsit”, mund të thotë dikush që s’do ti shohë faktet dhe përton ta vërë trurin në punë.
Për të gjithë ata që ende se besojnë që këto votime që nuk u zhvilluan brenda një sistemi demokratik ka disa pyetje të tjera që mund të renditen për t’i kthjelluar.
Ku ndodh në një të tillë (le ta gjejnë qoftë dhe një të vetëm) që partia në pushtet të marrë më shumë vota edhe se kur ka qenë në opozitë (2009-2013) edhe se kur ishte ne mandatet e para qeverisëse? (2017-2021)? Ku ndodh që në krye të jetë një njeri i vetëm? (Si alibi Rama përmend rastin gjerman të Merkelit apo atë holandez të Rytes, por ata kanë qeverisur të kontrolluar nga koalicione dhe jo si të vetëm në timon)?
Ku ndodh që, sa më shumë të vertetohen vjedhjet, aq më lart të shkojnë përqindjet? Ku ka një vend tjetër që konsiderohet demokratik me liderin e opozitës përmbi një vit të izoluar, me kreun e partisë së dytë më të madhe në burg, me shefin e minoritetit më të rëndësishën, që i rëmbejnë fitoren e Himarës me gjykatë?
Ku ndodh që SPAK-u dhe policia të kapin hajdutë votash vetëm nga opozitat, duke këmbëngulur në tezën absurde se këtu vjedhin ata që në fund humbasin? Ku ndodh që të gjitha mediat e mëdha (mbi 90% e audiencës) të mos zhvillojnë asnjë debat, se si jemi qeveriusur në katër vite, nga frika se i prishin punë atij që i mban pronarët e tyre me para?
Boll të hapësh pak sytë dhe e kupton fare lehtë se këto ndodhin në regjime që i përafrohen modelit putinian, ku cari i Kremlinit, që fitoi herën e parë me pak më shumë se 50% garën e fundit u ngjit në 88%.
Pra dhe fabula shqiptare është tejet e thjeshtë: ne nuk kemi zgjedhje të lira, nuk kemi drejtësi dhe media të pavarura pasi nuk jetojmë më në demokraci.
Të bësh sikur se kupton këtë dhe të analizosh ato që ndodhin sot me klishetë e sistemit të deri djeshëm do të thotë të marësh përsipër një rol sa absurd aq edhe qesharak.
Më e lehtë do të ishte të pranoje se tashmë kemi hyrë në një periudhë autokratike, duke ndryshuar bashkë me dorëzimin përballë këtij realiteti edhe mënyrën e të menduarit të gjërave. Në këtë qasje të re mund të gjenden edhe “anë pozitive”. Vërtet ka votime dhe jo zgjedhje, po sërish opozita merr gjysëm milioni vota. Vërtet nuk ka garë, po parti të reja futen në parlament. Vërtet nuk ka media të lira, ama ka individë të cilëve u lejohet të shfryjnë publikisht në studio televizive, ndonëse pa asnjë efekt. Vërtet nuk ka SPAK dhe gjykata të pavarura, ama ndonjë hajdut i parave publike vazhdon e shkon në burg. Pra ka ende arsye për tu gëzuar, sepse gjërat mund të qenë edhe shumë më keq, duke i zhdukur një nga një edhe këto iluzione të vogla. Prandaj, në këtë kuptim, 11 maji ishte pjella më e mirë që mund të dilte nga një bark që ka përfunduar të jetë demokratik. Pastaj, pasi kemi mbledhur mendjen për këtë jemi të lirë të diskutojmë pa frikë nëse vota vidhet para se të vijë tek kutia, apo procesi vijon njësoj deri në fund.
Kim Mehmeti Serbia është prodhuese e madhe e armëve dhe si e tillë ajo i…
Lufta në horizont? Irani paralajmëron sulme ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme, nëse SHBA…
Presidenti i ShBA, Donald Trump i ka dërguar një ultimatum Iranit në lidhje me zhvillimet…
Investuam gjithçka te një ngarkesë 530 kg me kokainë Detaje tronditëse janë zbardhur nga dëshmia…
SPAK është në prag të finalizimit të një prej operacioneve më të mëdha kundër kontrabandës…
Basir Çollaku Në New York përqafohet me Soros, në Sazan “flirton” me Kushner dhëndrin e…