Pse Rama është çoroditur nga goditjet e bujshme të SPAK?

Skandali i fundit në Shqipëri vë në rrezik trashëgiminë e Ramës

Pak para zgjedhjeve kombëtare, peizazhi politik i Shqipërisë u trondit me arrestimin e Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës.

I konsideruar prej kohësh një aleat i ngushtë dhe pasardhës i mundshëm i kryeministrit, Edi Rama, Veliaj u fut në grackën e akuzave për kontrata publike të lidhura me bashkëpunëtorët dhe shpenzime për mallra luksi. Hetimi për korrupsion mund t’i japë fund karrierës politike të Veliajt, i cili ka mohuar të gjitha akuzat.

Hetimet drejtohen nga Prokuroria Speciale, një organ i mbështetur nga SHBA dhe Bashkimi Evropian për të luftuar korrupsionin endemik në vendin e Adriatikut. SPAK, siç njihet, ka vazhduar luftën për çmontimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që kanë formësuar prej kohësh sistemin politik dhe ekonomik të Shqipërisë.

Rama, i cili synon ta bëjë anëtarësimin në BE themelin e trashëgimisë së tij, ka mbrojtur prej kohësh punën e SPAK. Por duke qenë se këtë herë u arrestua një bashkëpunëtor i ngushtë, toni i tij ka ndryshuar. Edhe pse ai këmbëngul se Partia e tij Socialiste nuk do të ndërhyjë, ai ka ngritur akuza kundër prokurorëve për tejkalim të kufijve të tyre dhe veprime pa përgjegjësi, duke e cilësuar aktakuzën ndaj Veliajt si një “roman 400 faqesh”.

Pavarësisht prishjes së imazhit në Perëndim, Rama nuk po tregon asnjë shenjë për të moderuar sulmet e tij ndaj SPAK. Madje ai është bërë viral në një video, teksa i gjuan me grusht tavolinës dhe lëshoi ​​një paralajmërim që të mos guxonin ta drejtonin hetimin ndaj tij.

“Kjo është shumë serioze! Shumë serioze! Shumë serioze!” u tha ai ligjvënësve në një mbledhje të partisë, duke vijuar: “Të mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim. Se boll kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë atje”.

Socialistët e Ramës janë rreshtuar plotësisht pas Veliajt, duke e cilësuar rastin si një përpjekje për të dobësuar qeverinë përpara zgjedhjeve të 11 majit. Zyrtarët e partisë i kanë bërë jehonë kritikave të Ramës ndaj SPAK-ut, duke argumentuar se hetimet synojnë në mënyrë disproporcionale figurat e partisë në pushtet, ndërsa injorojnë të tjerët. Partitë e opozitës e kanë kapur skandalin, duke thënë se ai nxjerr në pah korrupsionin në radhët e socialistëve.

Ndërkohë BE ka riafirmuar mbështetjen e saj për SPAK-un si një spirancë në rrugën e Shqipërisë drejt bllokut 27-anëtarësh. “Reforma në drejtësi dhe krijimi i SPAK-ut janë një gur themeli i anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, tha këtë javë delegacioni i BE-së në Shqipëri.

Shefi i SPAK-ut, Altin Dumani hodhi poshtë pretendimet për motivim politik, duke thënë se ata që veprojnë në përputhje me ligjin “nuk kanë asgjë për të frikësuar”. Në vend të kësaj, ai sinjalizoi se hetimi mund të zgjerohet, duke vënë në dukje se SPAK ka juridiksion mbi krimet zgjedhore.

Kjo mund të nxisë përshkallëzim të mëtejshëm – dhe më shumë telashe për Shqipërinë në përpjekjen e saj për t’u anëtarësuar në BE. / “Bloomberg

Publikuar nga Publik Media