Pse SPAK nuk po godet para zgjedhjeve?

Sepse frika nga drejtësia është më e vogël se frika nga politika

Landi Çela
Prej javësh Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpërndarë prokurorë në të gjitha qarqet e vendit. Ka nisur përgjime, ka dërguar hetues të BKH në terren, ka paralajmëruar goditje për krimet zgjedhore. Por deri më sot, kur na ndajnë vetëm ditë nga zgjedhjet e 11 majit, nuk ka asnjë arrestim. Asnjë goditje. Asnjë mesazh serioz që do t’u ndalte dorën atyre që vjedhin vota, që kërcënojnë qytetarë, që shpërndajnë para e ndihma si në treg skllevërish.

Në dosjet e SPAK janë më shumë se 70 kallëzime për krime zgjedhore. Por drejtësia hesht. Dhe kjo heshtje është më e fortë se çdo deklaratë. Ajo flet për frikë, për llogari politike dhe për një drejtësi që po vepron si spektatore e zgjedhjeve dhe jo si garantja e tyre.

Si ka mundësi që me 20 prokurorë, 60 hetues të BKH-së dhe 20 hetues financiarë të shpërndarë në të gjithë territorin, nuk ka asnjë të arrestuar për blerje votash? Jo se nuk ka prova. Jo se nuk ka përgjime. Por sepse ky shtet ka një marrëveshje të heshtur: “Mos e prish pazarin para zgjedhjeve.”

Për çfarë shërbejnë gjithë këto struktura “elitare” kur hetimet fillojnë pasi mbaron votimi? Kujt i shërben drejtësia pas faktit, kur pushteti është marrë me para, presion dhe patronazh? A nuk është më shumë se farsë të thuash që do godasësh krimin zgjedhor pas zgjedhjeve?

SPAK ka në dorë denoncime kundër PS, PD, PSD dhe të tjerë. Shumica lidhen me përdorimin e administratës, favorizime, blerje votash dhe financime të dyshimta. Ka kallëzime nga qytetarë, nga partitë, nga policia e madje edhe nga media. Por, edhe një herë, drejtësia jonë është duke u ruajtur që mos të trazojë “status quo”-në e fushatës.

Po ndodh pikërisht ajo që i druhemi prej kohësh: SPAK po kthehet në një instrument post-zgjedhor, që do të hetojë vetëm kur rezultati të jetë i paqëllueshëm, kur pushteti të jetë konfirmuar dhe kur çdo kallëzim të mos ndryshojë më asgjë.

Nëse drejtësia nuk godet krimin zgjedhor para votës, atëherë ajo nuk është drejtësi. Është dekor. Është mashtrim. Sepse drejtësia e vonuar në këtë rast, është drejtësi e mohuar. Dhe krimi, i pa ndëshkuar në kohë, nuk është gabim. Është metodë.

Publiku e pret drejtësinë para kutisë së votimit. Jo pas saj. Sepse kur SPAK flet vetëm pas 11 majit, ajo i jep një sinjal të qartë politikës:

“Bëni ç’të doni, mjafton të mos zhurmoni shumë.”

Publikuar nga Publik Media