“Public Enemy” po vjen…

dhe bashkë me të, zbërthimi i “Kënetës Mediatike” që ndërtoi Edi Rama

Nga Naim Noka

Nëse dikush kërkon të kuptojë pse Shqipëria është zhytur në një kënetë informacioni të ndotur, le të kthehet në vitin 2013. Aty nisi rënia. Jo rastësisht, jo për shkak të teknologjisë, por prej një dore që me vetëdije goditi sistematikisht mediat e lira. Ajo dorë mban firmën dhe stilolapsin e Edi Ramës.

Kryeministri që shpalli luftë gazetarisë

Në vend që të shihte median si aleate të transparencës, Rama e shpalli atë armike. Me arrogancë publike, me fyerje të përsëritura, me sulme personale dhe linçim publik, ai instaloi një kulturë urrejtjeje ndaj gazetarëve. Fillimisht i sulmoi verbalisht. Më pas i izoloi financiarisht. E në fund, i bëri pjesë të një tregu të shantazhuar dhe të kapur.

Sot, shumica e gazetarëve dhe pronarëve të mediave janë të vetëcensuruar. Jo nga ligji, por nga frika, pasiguria dhe varësia ekonomike. Një pjesë punojnë për mbijetesë, si skllevër të shekullit XXI. Të tjerët, pronarë me vila, kompani e kontrata qeveritare, janë kthyer në satelitë të propagandës.

Reprezalje selektive dhe media të nënshtruara

Agon Channel u shua me urdhër politik. Ora News u godit me gjoba e ndërhyrje. News24 u sulmua për shkak të qëndrimeve redaksionale. Media të tjera janë mbyllur pa zhurmë, të mbytura nga mungesa e reklamave dhe presioni fiskal.

Sot, ajo që ka mbetur janë vetëm fasadat: lajme copy-paste, spektakle, “like”-a në Instagram dhe njoftime shtypi të qeverisë të ricikluara si lajme.

Kjo nuk është fushatë. Është propagandë e sponsorizuar.

Fushata e 2025-s është një maratonë “sponsorimesh” në Facebook, me video të prodhuara në studio të paguara nga pushteti, me profile false dhe manipulim masiv të opinionit publik.

Janë mbi 2 mijë kandidatë për deputetë, dhe për shumicën nuk dimë as emrat, as origjinën, as lidhjet. Jo sepse mungon interesi gazetaresk, por sepse mungon guximi. Sepse gazetarët kanë frikë. Nga pushteti. Nga humbja e punës. Nga një padi e orkestruar. Nga një urdhër politik.

Ngjarja e fundit në një zyrë elektorale në Tiranë është simptomë e kësaj kënete. Foto me armë. Tymnajë. Heshtje totale. Asnjë investigim. Asnjë përgjegjësi. Vetëm komunikata sterile dhe një media që bën sikur nuk ka ndodhur gjë. Kjo është gazetaria që Edi Rama ka ndërtuar – jo për të informuar publikun, por për ta manipuluar.

Në Shqipëri, të shkruash për korrupsionin nuk është profesion. Është rebelim. Kush guxon, përballet me shantazh, përjashtim, ndëshkim. Sepse media është kthyer në zgjatim të pushtetit, jo në mbikëqyrës të tij.

Disa portale të pavarura, me burime minimale, përpiqen të rezistojnë. Por janë të izoluara. Të sulmuara. Të margjinalizuara. Ndërkohë që shumica e televizioneve kryesore që organizojnë sondazhe e zgjedhjeve të 11 majit ose  janë kthyer në zgjatime të AKSHI-t dhe kompanive celulare,  ose  janë paguara me para të dyshimta, duke ndihmuar në manipulimin masiv të votuesit përmes sondazheve të rreme dhe lajmeve të porositura.

Media është pasqyra e një demokracie. Në Shqipëri, ajo është kthyer në baltë.

Kjo është këneta që Edi Rama ndërtoi me duart e veta. Në këtë vend, gazetari është armik. Pronarët janë klientë të qeverisë. Qytetarët janë të dezinformuar. Pushteti është absolut.

Zgjedhjet nuk janë më betejë idesh. Janë betejë perceptimesh të manipuluara. Nëse kjo situatë nuk ndryshon, Shqipëria do të shndërrohet përfundimisht në një republikë të propagandës, ku e vërteta është krim dhe heshtja është shpërblim.

As kompani lobimi, as sherif mediatik nuk e pastrojnë këtë kënetën tonë politiko-mediatike. Ajo ka mbuluar gjithçka – nga informacioni te drejtësia, nga vota te ndërgjegjja.

Por një zë i vogël po vjen…

Me këtë realitet përballë, Publik.al nis një përpjekje të re: një emision i përjavshëm, i drejtpërdrejtë dhe pa filtër, “Public Enemy”. Nga një studio modeste, do të përpiqemi të tregojmë me zë dhe figurë kush janë armiqtë e publikut shqiptar – brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Sepse heshtja nuk është më opsion. Sepse e vërteta, sado e rrezikshme, është arma e vetme që na ka mbetur.

Publikuar nga Publik Media