Një operacion i gjerë policor, i koduar “Procedimi”, ka goditur një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e armëve dhe kultivimin e kanabisit në disa qytete të vendit. Operacioni është finalizimi i një procedimi penal të ndjekur për disa muaj me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë së Fierit.
Nga hetimet u zbulua se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, trafikonin armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm, të cilat në disa raste futeshin ilegalisht nga Kosova përmes kufirit të gjelbër në Morinë. Gjithashtu, grupi rezultoi i përfshirë në kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës.
Operacioni u zhvillua në disa pika të vendit, ku u kryen 8 kontrolle banesash, 2 kontrolle në ambiente të dyshuara si magazina armësh, dhe 3 kontrolle automjetesh.
Sipas Policisë, grupi vepronte i organizuar, me qëllim trafikimin e armëve nga Kosova për shitje tek persona të përfshirë në veprimtari të tjera kriminale. Organizatorët kryesorë të këtij grupi ishin B. B. dhe Q. Sh., ndërsa pjesëtarët e tjerë merreshin me sigurimin e armëve dhe gjetjen e blerësve. B. B. dyshohet gjithashtu se kishte rolin kryesor në organizimin e kultivimit dhe tregtimit të kanabisit.
Siç shihet nga pamjet e shpërndarë nga policia, janë sekuestruar maska me fytyrë njeriu, arme, municione dhe unifroma policie.
Gjatë operacionit u sekuestruan:
4000 fidanë kanabisi (2000 të mbjellë në tokë dhe 2000 të kultivuar në kubikë);
3 armë zjarri automatike, 2 armë gjahu dhe 636 fishekë;
5000 fara kanabisi;
2 radio të ngjashme me ato të Policisë, 2 uniforma policie dhe 1 maskë me paruke;
3 automjete dhe 10 celularë.
Në banesën e njërit prej të ndaluarve në Durrës, shtetasi N. O., u sekuestrua një armë zjarri pistoletë, që ai tentoi ta hidhte nga dritarja në momentin e ndërhyrjes së Policisë.
Të ndaluarit janë:
B.B., 48 vjeç, nga Kallmi i Fierit, me të kaluar kriminale në Itali, ku është dënuar me 30 vite burg për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Armëmbajtje pa leje”;
N.O., 53 vjeç, nga Durrësi, me precedent penal për armëmbajtje pa leje;
Q.Sh., 48 vjeç, nga Lushnja, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e drogës dhe armëve;
B.B., 33 vjeç, nga Divjaka.