Qeveria ka vendosur t’i heqë përfundimisht AKSHI-t kompetencën për zhvillimin e tenderave në fushën e Teknologjisë së Informacionit, duke ia transferuar këtë përgjegjësi Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP).
Vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave përcakton se të gjitha procedurat e prokurimit për sistemet IT, pajisjet software dhe hardware, mirëmbajtjen, si edhe shërbimet e internetit dhe intranetit, me vlerë mbi kufirin e prokurimeve të vogla, do të kryhen tashmë nga OBP në cilësinë e organit qendror blerës.
Sipas vendimit, OBP do të bëjë edhe përllogaritjen e vlerës së parashikuar të prokurimit, e cila më pas konfirmohet nga autoriteti ose enti kontraktor përkatës.
Ky ndryshim vjen në një moment kritik për infrastrukturën dixhitale të shtetit, pasi shumë sisteme publike ndodhen pa kontrata mirëmbajtjeje prej muajsh. Situata u përkeqësua pas shpërthimit të skandalit korruptiv në AKSHI, që çoi në arrestimin e ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj dhe paralizoi praktikisht çdo procedurë të re prokurimi në këtë institucion.
Dy muaj më parë, Kuvendi miratoi ndryshime ligjore të propozuara nga deputeti socialist Erjon Malaj, të cilat i hoqën AKSHI-t kompetencat për prokurimet e centralizuara dhe i transferuan ato tek një shoqëri aksionere me kapital të përzier publik-privat, ku shteti duhet të zotërojë të paktën 51% të aksioneve.
Megjithatë, kjo shoqëri ende nuk është krijuar. Për shkak të emergjencës së krijuar nga mungesa e mirëmbajtjes së sistemeve dhe problemeve të përsëritura me serverat shtetërorë, qeveria ka zgjedhur një zgjidhje të përkohshme: transferimin e menjëhershëm të tenderave të AKSHI-t tek Operatori i Blerjeve të Përqendruara.
Vendimi sinjalizon një ndryshim rrënjësor në menaxhimin e prokurimeve dixhitale të shtetit, ndërsa AKSHI humbet një nga funksionet e saj kyçe pas krizës më të rëndë institucionale në historinë e saj.







