Qumështi i lopës në Shqipëri më i shtrenjti në Europë, importet rriten me 33% që nga janari

Prej disa muajsh tanimë, fermerët vendas e kanë të vështirë gjetjen e tregut për shitjen e qumështit të lopës si lëndë të parë përpunimi, pasi çmimi i kërkuar për blerje brenda një viti është ulur 25%.

Fabrikat e përpunimit të qumështit pohojnë se çmimi i qumështit nga fermerët shqiptarë, edhe pas rënies së çmimit, vijon të mbetet më i shtrenjti në Europë, pasi subvencionet e dhëna nga shtetet europiane ndaj fermerëve të huaj ndihmojnë në uljen e kostove.

Por për shkak të mosdakortësisë për çmimin, fermat e mesme dhe të mëdha nuk po shesin qumësht te fabrikat e përpunimit. Fermerët thonë se të vetmit që po shesin qumështin me çmim 60 lekë, nën koston e prodhimit janë fermat e vogla. Por ky çmim rrezikon falimentimin e fermave pasi nga muaji prill 2023, kur qumështi tregtohej me çmim 80 lekë pa TVSH, deri tani çmimi i shitjes ka rënë 20 lekë për litër. Në harkun e 1 viti çmimi i shitjes së qumështit është ulur disa herë me 2 deri 3 lekë. Ulja e fundit u shënua më 1 Prill 2024 edhe me 10 lekë të tjera.

Të gjitha këto probleme për çmimin mes fermave dhe fabrikave përpunuese, kanë favorizuar importin e qumështit. Të dhënat zyrtare nga Doganat, tregojnë se për periudhën janar-mars, importet e qumështit janë rritur me rreth 33% krahasuar me vitin e kaluar dhe sasia e qumështit të importuar për janar-mars arriti në 4,6 milionë litra, më e larta që nga viti 2016.

Fabrikat përpunuese tani shohin si zgjidhje efektive importin pasi çmimi i lëndës së parë bashkë me transportin është më lirë se sa produkti i ofruar nga fermerët vendas.

“Çmimi i qumështit që vjen nga fermat e importit është më i lirë. Javën që shkoi arriti minimumin prej 38 cent në derën e fermës në Hungari. Bashke me transport (që i shton rreth 20% kosto) dhe taksen mbrojtëse të prodhimit vendas 10%, ai vjen këtu në pikat e grumbullimit me kosto rreth 59-61 leke pa TVSH, përsëri më lirë sesa çmimi i ofruar tek fermerët vendas. Fermat e shteteve te BE-së, siç është Hungaria apo dhe shtete të tjera janë mbështetur shumë nga politika dhe subvencione dhe vazhdojnë të subvencionohen gjë që ia ul shumë koston e prodhimit”.

Publikuar nga Publik Media