Qytetarët po mashtrohen, tregoni kujdes kur të aplikoni për vizë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një skemë e dyshuar mashtrimi online ka vënë në lëvizje autoritetet shqiptare. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se persona të paidentifikuar kanë krijuar një faqe të rreme në internet, e cila paraqitet si platformë zyrtare për aplikimin e vizave shqiptare.

Sipas të dhënave zyrtare, kjo faqe kopjon në mënyrë të qëllimshme strukturën dhe përmbajtjen e platformës legjitime, duke publikuar informacione të ngjashme me ato institucionale. Megjithatë, autoritetet theksojnë se bëhet fjalë për një faqe të paautorizuar, pa asnjë lidhje me institucionet shtetërore të Shqipërisë.

Qëllimi i saj dyshohet të jetë mashtrimi i shtetasve të huaj që kërkojnë të pajisen me vizë për të hyrë në vend, duke i orientuar drejt procedurave të rreme dhe potencialisht duke u marrë të dhëna apo pagesa në mënyrë të paligjshme.

Ministria u bën apel të gjithë të interesuarve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin përdorimin e çdo burimi jozyrtar. Theksohet se aplikimet për vizë duhet të kryhen vetëm përmes platformës zyrtare elektronike, në mënyrë që të garantohet siguria dhe vlefshmëria e procedurës.

Ndërkohë, strukturat përgjegjëse për sigurinë kibernetike, në bashkëpunim me organet ligjzbatuese, kanë nisur veprimet përkatëse për bllokimin e aktivitetit të paligjshëm dhe identifikimin e personave që qëndrojnë pas kësaj skeme.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se po ndjek nga afër situatën dhe do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të parandaluar raste të tjera mashtrimi dhe për të mbrojtur interesin e qytetarëve.

Njoftimi i plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) njofton se, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura në internet, është konstatuar ekzistenca e faqes:

https://evisia-al.com/albaniavisaenquirylive/ e cila përmban materiale dhe informacion të ngjashëm me ato të publikuara në faqen zyrtare të aplikimit për vizë hyrjeje të shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë kuadër, sqarojmë se faqja e sipërcituar nuk është faqe zyrtare dhe nuk është e autorizuar nga autoritetet shtetërore shqiptare për të ofruar informacion apo shërbime lidhur me procedurat e vizave.

Theksojmë se faqja e vetme zyrtare për aplikimet për vizë elektronike shqiptare, së cilës duhet t’i drejtoheni, është:

https://e-visa.al/

MEPJ u bën thirrje qytetarëve dhe të interesuarve të tregojnë kujdes maksimal dhe të përdorin vetëm burime zyrtare për aplikime dhe informacion, me qëllim shmangien e çdo abuzimi të mundshëm.

Organet e sigurisë kibernetike dhe autoritetet ligjzbatuese po marrin masa për të bllokuar çdo aktivitet të paligjshëm si dhe gjurmimin dhe ndjekjen e personave përgjegjës sipas legjislacionit në fuqi.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke e ndjekur këtë çështje me qëllim marrjen e masave të nevojshme.

Publikuar nga Publik Media