Ra nga tarraca, vdes bashkëpronari i “Hotel Olimpik”

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në ambientet e “Hotel Olimpik”, në kilometrin e dytë të aksit Gjirokastër–Tepelenë ku një 60-vjeçar ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta. Viktima, Krenar Stroka, i cili rezulton të jetë një nga bashkëpronarët e hotelit, dyshohet se ka rënë nga tarraca e godinës.

Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhej në pjesën e sipërme të ndërtesës, kur për arsye që mbeten ende objekt hetimi, është rrëzuar nga një lartësi rreth 15 metra.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërriti ambulanca, e cila e transportoi të plagosurin drejt spitalit në gjendje tepër të rëndë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 60-vjeçari nuk arriti të mbijetojë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa pritet që në vijim të ketë më shumë detaje mbi shkaqet që çuan në këtë humbje jete.

Publikuar nga Publik Media