Radar francez në Shqipëri, pa tender e pa transparencë !

Si u përjashtuan amerikanët dhe u favorizua “Thales”

Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar në mënyrë të fshehtë një kontratë të rëndësishme me kompaninë franceze “Thales” për vendosjen e një radari në Shqipëri, duke anashkaluar çdo procedurë të hapur tenderimi dhe pa bërë publike vlerën e kontratës.

Në datën 20 qershor 2025, gjatë një vizite zyrtare në Francë, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka nënshkruar marrëveshjen për furnizimin e Shqipërisë me një radar të tipit Ground Master 400 Alpha (GM400α), në Panairin Ndërkombëtar të Parisit. Kontrata u firmos në prani të homologut francez, ndërsa në selinë e kompanisë “Thales” u zhvilluan edhe takime me drejtuesit ushtarakë francezë.

 

Francezët “mundin” amerikanët, fitojnë në

Njoftimi i kompanisë “Thales” për vendosjen e radarit në Shqipëri

Por ndërkohë që marrëveshja është prezantuar si sukses diplomatik, pyetjet janë të shumta.

Asnjë tender i shpallur publikisht kontratë e mbyllur në errësirë

Ministria e Mbrojtjes nuk ka shpallur asnjë procedurë tenderimi për blerjen e një radari të ri. Në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton vetëm një tender me vlerë rreth 200 mijë euro për “pajisje/pjesë këmbimi” për radarin në PRT-17 Sazan  një radar që, sipas dokumenteve, është jashtë funksionit dhe ka nevojë për rikthim në gatishmëri.

Ndaj lind pyetja legjitime: Si u përzgjodh kompania franceze “Thales”? A u shmangën qëllimisht procedurat për të favorizuar palën franceze?

Franca në skenë, SHBA jashtë loje

Kontrata e re me “Thales” vjen në një moment kur marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Francës janë intensifikuar.

Takimet e shpeshta të liderëve shqiptarë me autoritetet franceze, duket se kanë ndikuar edhe në orientimin strategjik të qeverisë shqiptare në sektorin e mbrojtjes.

Në kontrast, në vitin 2020, Shqipëria kishte blerë nga kompania amerikane “Lockheed Martin” një sistem radari të sofistikuar me kosto 22 milionë dollarë, i vendosur në malin e Midës. A është ky një sinjal diplomatik për largimin nga ndikimi amerikan në fushën e sigurisë dhe afrimin me interesat franceze?

Radar me letra, realisht jashtë funksioni?

Ndërkohë që qeveria firmos kontrata për radarë të rinj, ai ekzistues në Sazan  që mbulon një zonë kyçe si Kanali i Otrantos  rezulton të mos jetë funksional. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë Shqipëria është aktualisht e pambrojtur në një nga zonat më të nxehta të trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm.

Kush e mban përgjegjësinë për dështimin e sistemit aktual të monitorimit? Dhe më e rëndësishmja: pse publiku nuk është informuar as për mungesën e tenderit, as për vlerën reale të kontratës së re?

“Thales”  gjigand i teknologjisë, por me kontratë të dyshimtë

Sipas deklaratës së vetë kompanisë, radari GM400α ka një rreze mbikëqyrjeje deri në 515 km dhe është testuar në kushte reale lufte. “Thales” e cilëson veten si një lider global në teknologjitë ushtarake, me mbi 83 mijë punonjës dhe 20.6 miliardë euro të ardhura në vitin 2024.

Por edhe një kompani e madhe nuk e justifikon mungesën e transparencës nga ana e institucioneve shqiptare. Në një demokraci funksionale, kontrata të kësaj natyre  që kanë të bëjnë me mbrojtjen kombëtare dhe miliona euro taksa  nuk nënshkruhen në fshehtësi, por me transparencë të plotë dhe garë të hapur ndërkombëtare.

Nëse radarët nuk punojnë dhe institucionet heshtin, atëherë qeveria jo vetëm po rrezikon sigurinë kombëtare, por edhe po kthen mbrojtjen në një çështje klienteliste dhe të mbyllur. Shqipëria ka nevojë për radarë që funksionojnë  jo për kontrata që mbajnë erë politike.

Publikuar nga Publik Media