RAMA DHE ÇYRYKËT

Jani Malo

Edi Rama nuk i përmend rastësisht çyrykët në këto ditë fushate. E keni dëgjuar të thotë ndonjë llaf për injorantët? Me ta ka rënë rehat. Votat e tyre i ka në thes, sepse ka arritur t’i bindë ata se Rilindja e tij funksionon si orë zvicerane. Nuk do t’ia dijë se kjo orë, – nëse ka qenë ndonjë sekondë zvicerane – edhe pse pa mish e pa shpirt, lëviz në mënyrë mekanike,. Atij aq i bën nëse kopeja e injorantëve nuk di ku bie Europa, por i mjafton t’u tund para syve një pasaportë evropiane. U ka krijuar bindjen se nuk ka jetë përtej Rilindjes, se pa Edi Ramën akrepat e orës do ngecin. Edhe koha do ndalet, edhe dielli do shuhet, edhe bota do përmbyset pa Edi Ramën. Është kjo arsyeja që ata e kanë votuar, e votojnë dhe do ta votojnë atë. Ata asnjëherë dhe për asnjë arsye nuk do e braktisin vathën e Rilindjes për të kaluar në krahun tjetër, ku për të njëjtat arsye merr frymë grigja që njeh për bari Sali Berishën.
Ndryshe është puna me “çyrykët”. Nga natyra ata janë të çuditshëm, të paparashikueshëm. Në çdo kohë e për çdo gjë. Përfshi edhe votën. Çyrykët mund t’i kesh për vete dhe befas të bëhen kundërshtarë. Mund të ta braktisin vathën kur nuk e pret. Edi e di mirë këtë. Ai do që t’i firojnë sa më pak. Por, nëse del ndonjë nga vatha e kundërshtarit dhe hyn në të tijën, aq i bën. Madje, e mirëpret. Prandaj më shumë se me çyrykët e opozitës, e ka me çyrykët e Rilindjes.
Ata Edi Ramës i duken si cjep nopranë që vetëm era e dhive mund t’i bëjë zap. Për këtë po e kërkon ndihmën e grave të Rilindjes.

Publikuar nga Publik Media