Naim Noka
Kjo është lista fituese e deputetëve qarku Durrës e vitit 2021
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Partia Socialiste fitoi në Durrës me 50.25% të votave kundrejt 41.44% të Partisë Demokratike. Megjithatë, pas kësaj fitoreje, tre nga katër më të votuarit pas Edi Ramës u përfshinë në skandale korrupsioni dhe krimi. Lefter Koka, me 9,609 vota, u arrestua për shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Rrahman Rraja, me 7,759 vota, dha dorëheqjen pas skandaleve të familjes së tij, dhe Jurgis Çyrbja, me 6,583 vota, u arrestua për përkrahje të krimit dhe nxjerrje sekreti hetimor.
Partia Socialiste në Durrës ka rënë në një llucë të zezë korrupsioni dhe lidhjesh kriminale që nuk mund të fshihet më me propagandë apo buzëqeshje televizive.
Lista e deputetëve të PS në Durrës është bërë një listë skandalesh, ku shumica kanë përfunduar në duart e drejtësisë, dhe tani, vetëm Edi Rama ka mbetur i pakapur nga kjo valë arrestimesh, por sa kohë do zgjasë kjo?
I fundit që bie nga froni është ish-deputeti Jurgis Çyrbja, një tjetër emër që SPAK ka marrë nën hetim. Për çfarë? Lidhje me një grup kriminal dhe komunikime të koduara në platformën SKY, të njohur për aktivitetet e mafias. Dhe për ta bërë edhe më të errët panoramën, një nga akuzat më të rënda që rëndon mbi të është tregtimi i sekretit shtetëror. Ky është një akt që jo vetëm tradhton shtetin, por tregon qartë se çfarë ndodh kur pushteti është në duart e atyre që i kanë shitur shpirtin krimit.
Pse Rama hesht?
Kjo nuk është më një çështje e izoluar. Nuk është më një rast që mund të cilësohet si “mollë e kalbur” mes deputetëve të PS. Lista e Durrësit është dëshmi e rrënjëve të thella të korrupsionit brenda partisë së Edi Ramës. Dhe ndërsa SPAK i merr një e nga një, Rama vazhdon të qëndrojë në krye sikur nuk ka përgjegjësi për përzgjedhjen e këtyre personave.
Si është e mundur që një parti që pretendon reformë dhe drejtësi, ka prodhuar kaq shumë “të pandehur” në radhët e saj? Çfarë ndodh kur deputetët nuk janë më përfaqësues të popullit, por të grupeve kriminale? Durrësi, një nga qytetet më strategjike dhe të rëndësishme të vendit, është kthyer në një skenë turpi politik për Partinë Socialiste.
Fundi i iluzionit të reformës
Rama nuk mund të largohet më nga përgjegjësia. Kjo listë turpi është pasqyrimi i politikës së tij, që në vend që të pastrojë rradhët, i ka mbajtur të hapura për elementët më të errët të shoqërisë. Çyrbja nuk është thjesht një emër në një listë. Ai është simboli i dështimit të një sistemi që Rama pretendon se e ka reformuar. Por kur deputetët e tij arrestohen njëri pas tjetrit për lidhje me krimin, çfarë mbetet nga ky iluzion reforme?
SPAK po bën atë që Rama duhet ta kishte bërë vite më parë: po largon nga politika ata që e kanë përdorur pushtetin për të shitur shtetin. Por ky është një proces që nuk mund të përfundojë thjesht me arrestime. Derisa vetë Edi Rama të mbajë përgjegjësi për përzgjedhjen e këtyre deputetëve dhe për dështimin e një partie që është bërë strehë e korrupsionit, ky vend nuk ka për të parë as drejtësi, as reformë të vërtetë.