Ti zotëri je Dritan Leli 2.0, e di apo jo?!
Të pathënat e “gjyqit politik” me dyer të mbyllura Vlorë

Kësaj radhe protagonisti është Ermal Dredha, diplomati i cili mbërriti nga Dubai dy vite më parë për t’u zgjedhur në krye të Vlorës. Por ndryshe nga lavdet e fushatës kur e solli në Vlorë si sponosorizim të lidhjeve familjare në kupolën e PS-së, tani Edi Rama ka veç helm dhe zhgënjim për Ermal Dredhën.
Nuk ia kurseu telendisjen publikisht në oborrin e PS-së për festën e 34 vjetorit të partisë, e telendisi edhe ca më shumë sot brenda zyrave të bashkisë.
Siç na tregoi burimi ynë brenda takimit, Edi Rama ka dëgjuar pak nga Dredha dhe e ka fshikulluar shumë në sy të deputetëve e drejtuesve kryesorë të bashkisë. Dredha kërkoi të merrte fjalën i pari edhe pse nuk ishte ai në fakt që e kishte thirrur takimin.
Rama ndërkohë ia preu shkurt duke iu drejtuar me fjalët “më mirë ti fli gjumë…”. Dredha ia ktheu me fjalët “jam me 3 orë gjumë”, duke dashur t’i tregonte shefit të tij se po përkushtohej shumë në detyrën e të parit të Vlorës. Por Rama e vijoi ironinë për gjumin duke i thënë “aq më keq akoma që je dhe pa gjumë” duke lënë të nëkuptohej se kryebashkiakut i mungonte qartësia.
Si nxënësin e keq të klasës, Rama e vuri Ermal Dredhën edhe përballë shokëve e shoqeve të tij të partisë. Njërës prej deputeteve të reja të dala nga lista e mbyllur e qarkut Vlorë, Erjona Ismailit, ai i kërkoi të thoshte aty në takim gjithë të zezat që i kishte shkruar me sms për Ermal Dredhën dhe për mënyrën se si ai drejton Vlorën.
Natyrisht që deputetja rishtare e socialistëve në Vlorë dhe e patestuar aspak për peshën elektorale, nuk ia përtoi fare logorinë e kritikave kryebashkiakut Dredha. Ndonëse ky i fundit po përpiqej të jepte ndonjë argument për çdo kritikë apo problem që i faturohej, siç na tregon burimi i Lapsi.al brenda atij takimi, Ramën nuk kishte asgjë që e qetësonte. “Ti zotëri nuk na nxjerr dot nga gropa ku na ke zhytur, por të paktën mos na zhyt më shumë”, i ka thënë Rama-Dredhës.
Dëmtimi i disa investimeve në Vlorë, mungesa e ujit të pijshëm apo zjarri i përsëritur në fushën e plehrave ishin disa nga çështjet që e kanë xhindosur keq Ramën. Dhe kjo nuk është një situatë e krijuar rishtaz, por e akumuluar për një kohë të gjatë.
Në po atë takim, Edi Rama e krahasoi Ermal Dredhën edhe me ish-kryebashkiakun Dritan Leli, me të cilin pati gjithashtu një përplasje të ngjashme derisa nuk e përfilli fare dhe e përjashtoi nga partia dy vitet e fundit të mandatit të tij. “Ti zotëri je Dritan Leli 2.0, e di apo jo?!”, iu drejtua Rama-Dredhës një moment, tregon burimi i Lapsi.al nga brenda atij takimi.
Aq i indinjuar ishte Edi Rama me Vlorën dhe vlonjatët sa iu përmendi aty në takim edhe rrezikun që ai mund të sëmurej me kancer të mëlçisë prej stresit. Për disa në takim kjo tingëlloi ironike e për të tjerë që e shohin si idhull Edi Ramën, filluan të shqetësohen vërtet dhe rrahën gjoksin për t’u dhënë zgjidhje problemeve, jo më shumë për të shpëtuar Vlorën sesa për të shpëtuar shëndetin e liderit të tyre.
Edi Rama nuk ka keq vetëm punët në bashki, por edhe në PS-në e Vlorës. Ai komandoi në këtë detyrë deputeten e sapozgjedhur, Erjona Ismaili dhe kandidatin për deputet Klevis Kaso. E veç kësaj kërkoi dorëheqje të detyruar të të gjithë drejtorëve të Bashkisë Vlorë, përfshi këtu edhe drejtuesit rajonalë të institucioneve qëndrore. Ngriti ndërkohë një biçim komisioni partiak për emërimet e reja në bashki e drejtoritë e reja dhe monitorimin e problemeve për t’u zgjidhur.
Aq shumë e zhvlerësoi Ermal Dredhën sa e ka detyruar që të japë llogari përballë këtij komisioni me deputetë e eksponentë të PS-së dhe të drejtojnë së bashku Vlorën. Edi Rama është i xhindosur me kryebashkiakun e tij që u katapultua si një figurë e re në PS e që premtonte shumë, por tani në fund të dy viteve në sytë e tij ai është një shalqi i papjekur që s’ka më nevojë të provohet pasi dihet çfarë ka brenda.
Revanshi i Ramës ndaj Dredhës duket i ekzagjeruar së paku kur është fjala te problemi i furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellësit Vlorë nuk është më në varësi të bashkisë as në kontrollin e saj. Ligjin aty e bën Ministria e Infrastrukturës, e cila është aksionerja kryesore në ndërmarrjet e reja rajonale të ujësjellësave. Por edhe te çështja e plehrave, Ermal Dredha i kishte duart e lidhura kur është fjala te vënia në funksion e landfillit të Sherishës, projekt i cili i ishte besuar kompanisë së Klodian Zotos “Integrated Technology Services”, e cila ka gjithashtu inceneratorin fantazmë të Tiranës.
Por fakt tani është që kreu i Rilindjes ka hapur një front të ri lufte brenda radhëve të tij. Nuk dihet se deri ku do të shkojë pakënaqësia dhe përplasja me kryebashkiakun e Vlorës, i cili si shumë socialistë të tjerë nuk guxon të ngrejë krye përballë Ramës. Pranon edhe të poshtërohet prej tij në mexhelis e në takime të mbyllura si ky i sotmi.
Deri më tani duket se kemi një tjetër déjà vu si ajo e 4 viteve më parë me Dritan Lelin. Ky mund të jetë fillimi i fundit të diplomatit që u bë qytetari i parë i Vlorës njësoj si babai i tij që drejtoi Vlorën në vitet 1998-2000./Laspsi.al