Rama i jep ILDKP, 1.5 mln euro për kullë në qendër të Tiranës

Në një kohë që Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokuroria e Përgjithshme presin më kot prej mbi dy vitesh që të marrin fond nga qeveria për të sistemuar infrastrukturën e Gjykatës së vetme të Apelit në vend, kryeministri Edi Rama duket se ka prioritete të tjera.

I gjithëpushtetshëm, me portofolin e Shqipërisë në duart e tij, Rama ka vendosur të shpallë një lloj “investitori strategjik” Inspektoratin e Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) duke i dhënë rreth 1.5 milionë euro për ndërtimin e një kulle 7-katëshe në qendër të Tiranës.

ILDKPKI është institucioni që duhet të verifikojë pasuritë e zyrtarëve të lartë, përfshirë qeveritarët, deputetët, ministrat, kryebashkiakët e të tjerë, si edhe të zbulojë konfliktin e interesave të kësaj kaste të lartë shtetërore.

Prej shumë vitesh, ILDKPKI ka shkëlqyer “me mungesën e rezultateve”, duke mos i krijuar asnjë lloj kokëçarjeje kryeministrit Rama dhe oborrtarëve që vijnë rrotull pushtetit të tij.

Në foto: Kryeinspektorja e Pasurive, Evgjeni Bashari dhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja

Në këmbim, me anën e një lloji “pakti heshtjeje”, kryeministri ka vendosur të shpërblejë institucionin që duhet por nuk ka guxuar të prekë pasuritë e politikanëve të lartë, të cilat, shpesh, habisin opinionin publik me lehtësinë e shumëfishimit të tyre.

“Dhurata” e kryeministrit Edi Rama për Inspektoratin e Deklarimit të Pasurive, të drejtuar nga Evgjeni Bashari, është një ndërtesë e re shtatë-katëshe, e cila pritet të përmirësojë kushtet e punës së palodhur të 28 inspektorëve të lartë dhe rreth 50 të tjerëve që gëlojnë në administratën e atij institucioni.

Kullë për Deklarimin e Pasurive

Në 19 Shkurt 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, miratoi vendimin nr. 8, me objekt: “Miratimin e lejes së ndërtimit për ‘rikonstruksionin dhe shtesë 1 kat mbi objektin ekzistues 6 kat, shtesë anësore 7 kate me 1 kat nëntokë, i godinës së ILDKPKI”.

Në foto: Vendimi i Këshillit të Rregullimit të Territorit për rikonstruksionin e godinës së ILDKPKI

Ndërtesa ekzistuese e institucionit gjendet në rrugën “Reshit Çollaku”, thuajse në qendër të Tiranës, e rrethuar nga Gjykata e Lartë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare.

Vendi është strategjik dhe tepër i lakmuar për zyrtarë shtetërorë. Por, duket se stafi i ILDKPKI-së nuk ka qenë shumë i kënaqur me kushtet e zyrave, edhe pse ato janë ndërtuar vetëm pak vite më parë.

“Shërbimi” me heshtje që i kanë ofruar qeverisë, natyrisht, do të donte shpërblimin e vetë. Për ato institucione, të cilat ligji i konsideron si “të pavarura”, por që tregohen shumë “dashamirëse” me pushtetin e tij, kryeministri Rama tregohet i pakursyer.

Godina aktuale e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive është e përbërë nga dy pjesë. Njëra, më e ulta, ka qenë një ndërtesë e vjetër, 4-katëshe, e rikonstruktuar tërësisht në vitet 2004-2005. Gjatë këtij rikonstruksioni, godinës ekzistuese iu shtua edhe një ndërtesë e re, 6 kate, duke krijuar një kompleks sa interesant, aq edhe funksional për stafin e institucionit.

Por, duket se kaq nuk ka mjaftuar. Njerëzit që duhet të verifikojnë pasuritë e zyrtarëve të lartë duhet të ndihen akoma më komod në zyrat e tyre.

Në foto: Projekti i shtesës 7-katëshe për ILDKPKI

Për këtë mendoi kryeministri Rama, i cili, krahas lejes së ndërtimit, miratoi nëpërmjet maxhorancës së tij parlamentare edhe fondin prej më shumë se 1.8 miliardë lekë të vjetra (ose 1.8 milionë euro), për rikonstruksionin e godinës.

Në letra shënohet “rikonstruksion”, por në fakt bëhet fjalë për një ndërtim tërësisht të ri, me 7 kate mbi tokë.

Tenderi 1.8 mln euro

Në datë 2 Qershor 2025, Inspektorati i Deklarimit të Pasurive shpall tenderin me objekt “Shtesë kati dhe rikonstruksion i godinës së ILDKPKI”. Fondi limit ishte 180.016.584 lekë të reja.

Kjo procedurë e ndjekur nga Sekretari i Përgjithshëm i institucionit, Arbër Basholli, anulohet brenda dy javësh, për shkak se “u konstatua se dokumentat e tenderit përmbanin gabime ose mangësi të rëndësishme”.

Në foto: ILDKPKI anuloi tenderin e parë me fond 1.8 mln euro

Duket se këto gabime u riparuan shumë shpejt, pasi ILDKPKI shpalli në 20 Qershor 2025 të njëjtin tender, me të njëjtin objekt dhe fond limit.

“Boldnews.al” shqyrtoi dokumentat e tenderit dhe konstatoi një lloj “anomalie” të fortë, ndërmjet objektit të procedurës së prokurimit publik dhe asaj që synohet në të vërtetë.

Objekti i tenderit është “shtesë kati”, ndërkohë që shoqërohet edhe me termin “rikonstruksion godine”.

Por, në fakt, në brendësi të dokumentave, zbulohet se bëhet fjalë për një godinë të re me plot 7 kate.

Objekti 4 katësh me muraturë tulle prishet pë ti lënë vend ndërtimit të një strukture te re e cila bashkëngjitet objektit 6 katësh. Struktura e re me konstruksion b/ado të ndërtoohet me 7 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Të dy objektet lidhen mes njëri tjetrit si në konstruksion ashtu edhe në lartësi , kuota, materiale e tekstura”, thuhet në relacionin që shoqëron tenderin me fond 1.8 milionë euro.

Në foto: Tenderi parashikon ndërtimin e një shtese të re 7-katësh

Në vijim, dokumentat e tenderit shpjegojnë në mënyrë specifike dhe teknike se si do të kryhet “rikonstruksioni” dhe “shtesa e katit”, ku një vend të posaçëm zë edhe mënyra se si do të funksionojnë ashensorët, të cilët janë të domosdoshëm për një ndërtesë të lartë.

Duke mbetur tek ashensorët e ILDKPKI-së, ekziston një lloj batute, një lloj humori i zi. Ka nga ata që thonë se, kur hynë në ashensorët e institucionit që shqyrton konfliktin e interesit, shuhet çdo lloj “konflikti” dhe mbetet vetëm “interesi”./Boldnews.al

Publikuar nga Publik Media