Rama i shkruan presidentit Trump

Agim Xhafka 

Fort i dashtun Donald,

Po të shkruaj me të dy dialektet e shqipes që ta mësosh se na të duam e të kemi dasht si perëndi qysh kur ke lindur. Zgjedhja yte në krye të botës, se afërmendsh bota është USA, na gëzoi pa masë dhe gëzuashi e ju në postin e lartë.

Mora kurajon me shkru këto rreshta nga që nuk po gjeja mundësi të hyja në bisedë telefonike me ty. Them me ty e jo me ju nga që të ndjej afër, si babain tim, si njeri të familjes sime. Ju e dini që mund të më quani kështu nga që dhëndërit ia dhashë me zemër ishullin e vetëm që kemi; Sazanin.

Iu luta Vuçiçit, Orbanit e plot të tjerëve, por ndërsa ata më premtonin nuk më vinte sinjal prej jush. Duhet më besu që ngela në avion, mbi Evropë, thuajse tre ditë në pritje të një zile celulari. And kuptoj se e kini full agjendën, por dhe ne e kemi full dëshirën me folë me ju.

Donald, këmbëngul me bisedu mes nesh sepse dua të të them ca sekrete që nuk t’i thotë ekipi yt. Nga që unë kam qenë mik, shok, vëlla quaje, me Sorosin e madh dhe të voglin e do ta kuptosh se sa të ka urryer ai e sa luftë ka bërë kundër teje. Soros gati më futi në luftë dhe me opozitën time duke bërë non grata liderin e saj, Berishën që është më proamerikani në krejt gadishullin tonë.

Soros hodhi në erë sistemin e drejtësisë shqiptare. Na serviri një reformë që na e shiti për verë e na dual uthull që thartoi krejt shoqërinë.

Më quaj një të penduar dhe si i penduar do ta zbras krejt barkun. Veçanërisht të kuptosh që thënia ime në CNN, që Trump, pra ju, jeni turpi i botës, është sajesë and Soros. Qysh atëherë ai përdorte Inteligjencën Artificiale dhe në atë studio nuk jam unë. Është dikush si unë që ka dasht me ma marrë erzin.

Donald, po pres të më ftosh në inagurimin tënd. Do kesh në krah Edi Ramën që do të të japë hollësi për Sorosin, do të ndihmoj me këtë rast edhe Musk në rentabilitetin e shtet dhe në efikasitetin e reformave gjigante që do ndërmarrësh o gjigand.

Mos më lerë kështu tuj prit e tuj prit se jam tip emotional dhe nuk e di ku e zbraz zemërimin pastaj. Ndoshta ke dëgjuar që jam person me kartelë. Me kartelë sportive u them atyre që më shohin shtrembër.

I yti për katër vjet.

Edi, mo Edi.

Publikuar nga Publik Media