Rama në rolin e Veliajt: Mbledhje urgjente me drejtuesit e Bashkisë

Rreth 30 minuta ka zgjatur takimi i kryeministrit Edi Rama me deputetët e sapozgjedhur të Tiranës, drejtorët e Bashkisë dhe administratorët e njësive, i zhvilluar në ambientet e një hoteli në kryeqytet. Në mbledhje ishin të pranishëm edhe figura të rëndësishme të administratës vendore si Anuela Ristani, kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, si dhe Arbjan Mazniku dhe Endrit Braimllari.

Pas arrestimit të Erion Veliajt, Rama ka marrë praktikisht drejtimin e Bashkisë së Tiranës, rol që ai vetë nuk e ka mohuar. Kjo mbledhje e organizuar në mënyrë të shpejtë, pa njoftim publik, është një tjetër sinjal se ai po konsolidon kontrollin e plotë politik dhe administrativ në kryeqytet.

Sipas burimeve nga brenda takimit, Rama u ka kërkuar deputetëve të angazhohen më fort në terren, duke evidentuar problematikat e komuniteteve dhe duke koordinuar punën me strukturat e bashkisë për të dhënë zgjidhje konkrete. Në fokus të mbledhjes ka qenë edhe riorganizimi i bashkëpunimit mes qeverisë dhe pushtetit vendor pas lëkundjeve politike që solli arrestimi i Veliajt.

Megjithëse nuk është bërë publike asnjë vendimmarrje konkrete, ky takim interpretohet gjerësisht si një sinjal i mundshëm për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Tiranë. Një skenar që mund të materializohet më shpejt se pritej, ndërsa Partia Socialiste përpiqet të mbajë nën kontroll njësinë më të rëndësishme elektorale dhe administrative të vendit.

Ndërkohë, mungesa e transparencës për përmbajtjen e plotë të takimit dhe për pozicionin zyrtar të Anuela Ristanit, Maznikut dhe Braimllarit në drejtimin e Bashkisë, ngre pikëpyetje të reja mbi mënyrën sesi po menaxhohet vakumi i krijuar në Tiranë pas largimit të Veliajt.

Publikuar nga Publik Media