Rama, Oppenheim dhe Shytët shndërrojnë Vlorën në një geto

Një projekt masiv që parashikon rreth 90 mijë metër katror ndërtim do ta shndërrojë bregdetin e Vlorës në një koktejl kullash me ngjyra. Projekti është hartuar nga studio arkitekturore Oppenheim për llogari të kompanisë Feniks Konstruksion.

I vendosur në një kryqëzim midis qytetit të vjetër, Pyllit të Sodës dhe një marine të ndërtuar rishtazi, projekti është pagëzuar me emrin Vlore Beach Urban Development. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej 20,465 metrash katrorë dhe shton 89,320 metra katrorë ndërtime të reja.

Sipas Oppenheim, në zemër të projektit është një shëtitore qendrore për këmbësorë që shtrihet nga bulevardi në plazh, e menduar si një shtyllë publike që lidh arkitekturën me peizazhin dhe jetën e përditshme me ritmet më të mëdha të qytetit.

Sipas studios, ky projekt është frymëzuar nga fshatrat shqiptarë, me struktura spontane, të parregullta dhe të formuara nga afërsia sociale, të riimagjinuara këtu përmes një serie nukli, ose blloqesh urbane në shkallë të vogël.

Këto ndërtesa shumëngjyrëshe janë të organizuara rreth hapësirave të përbashkëta dhe të qepura së bashku nga një korridor i rrethuar nga kafene, sheshe, dyqane dhe zona publike me hije.

Por shfrytëzimi intensiv i tokës dhe dendësia e madhe e betonit e shndërron lagjen në një geto të ngjashme me favelat braziliane, ndonëse me më shumë ngjyra dhe me më shumë beton.

Katet përdhese janë parashikuar të mbivendosin aktivitetit tregtar dhe atë rezidencial. Tre kulla, të vendosura brenda strukturës së bllokut, ngrihen mbi shkallën ndryshe modeste të lagjes. Pozicionimi i tyre ruan korridoret e pamjes dhe hapësirën e hapur, ndërsa fasadat e tyre ndjekin të njëjtën gjuhë dizajni për të mbajtur bisedën arkitekturore të qëndrueshme.

Oppeneheim thotë se Vlore Beach Urban Development e trajton vendin si një pikë konvergjence, një vend ku mjediset natyrore dhe të ndërtuara, të trashëguara dhe ato që po shfaqen janë të shtresuara.

Nuk dihet ende nëse projekti e ka marrë lejen e ndërtimit. Por ai është bërë për llogari të kompanisë Feniks Konstruksion, e cila zotërohet nga Ilir dhe Jaho Shyti./Kaputali.al

Publikuar nga Publik Media