Rama ‘reshqet’ me deklarata absurde në fushatë: Denojini ata që votojnë Berishën

Me një deklaratë që në një vend demokratik normal do të cilësohej absurd pa asnjë ekuivok, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje mbështetësve të tij që të distancohen nga njerëzit e tyre të dashur që nuk votojnë për Partinë Socialiste, madje duke i quajtur ata që mbështesin kundërshtarët politikë si votues të “bufit të kënetës” (metaforë me të cilën i refererohet Berishës).

“Nëse ata (të dashurit) janë të lëkundur tolerojini, nëse thonë se do votojmë për bufin e kënetës, lërini, mos i shihni me sy, dënojini, mos ja varni fare. Pastaj po qe se i doni aq shumë sa të ktheheni prapë tek ata lërini ca kohë të pendohen dhe kthehuni kur t’ju japin fjalën që nuk do ta përsërisin më atë gabim,” – u shpreh Rama gjatë një takimi elektoral me të rinj në Tiranë.

Kjo deklaratë vjen si një tjetër shembull i toneve të pazakonta që Rama ka përdorur në komunikimin e tij politik, veçanërisht në prag zgjedhjesh.

Më herët, ai ka bërë thirrje që qytetarët të mos marrin pjesë në zgjedhje, një qëndrim që interpretohet gjegjësisht si i papajtueshëm me parimet e Kushtetutës dhe demokracisë përfaqësuese.

Po gjatë kësaj fushate elektorale, ai u ka bërë apel mbështetësve të opozitës të bojkotojnë zgjedhjet, duke dalë hapur kundër normave kushtetuese të përfshirjes qytetare në vendimmarrje.

Dhe me deklaratën absurde të kësaj të mërkure, repertori vijon të mbushet me deklarata që një kryeministri nuk i shkojnë aspak për shtat.

Publikuar nga Publik Media