Rama të bëhet President i Federatës së Futbollit

Zgjidhja e Kombëtares

Nga Klodian Tomorri

Ka vetëm një mënyrë si Kombëtarja Shqiptare mund të rikthehet te fitorja: dikush duhet t’ia shtjerë Ramës në mendje që të bëhet edhe President i Federatës së Futbollit.

Sepse Duka deri këtu e pati takatin. Loja është bërë shumë e madhe. Nuk funksionojnë më çantat e zakonshme të Dukës  tani duhen thasë të mëdhenj, dhe fuqinë për t’i mbushur ato e ka vetëm Komandanti.

Shikoni si vijnë arkitektët më të mëdhenj të botës në Shqipëri, si lypës me dorën zgjatur. Thjesht se dikush u tund para syve një thes më të madh.

Ndaj, ju që keni akses te veshi i Ramës, i thoni një fjalë: le ta marrë edhe Federatën. Atëherë do shihni se çfarë ndodh. Brenda dy muajsh, do kemi Lamine Yamal-in si lojtar të Kombëtares Shqiptare. Do t’i gjejnë një stërgjysh nga Kukësi, një stërtezë nga Tepelena, dhe kur t’i venë thesin përpara, nga Lamine Yamal do të bëhet Jemin Xhemali brenda natës.

Jepini Federatën, dhe do e çoni Kombëtaren në Botëror. Se faktikisht unë do kisha preferuar që të bëhej President i Interit, por andej nuk e le njeri të hyjë me thasë përpjetë e tatëpjetë.

Ndaj, ik tani Duka  nuk është më koha jote. Loja kërkon energji të reja. Dhe mbi të gjitha, kërkon një thes më të madh.

Publikuar nga Publik Media