Rama u tregon nga Dhërmiu kritikëve sa turistë kanë hyrë në Rinas: Hudhra për të mbajtur larg syrin e keq

Nga Dhërmiu, atje ku ka nisur pushimet verore, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se shqiptarët e Kosovës nuk e kanë braktisur Shqipërinë në këtë sezon turistik.

Sipas tij, nga pika kufitare e Morinës kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë, krahasur me një vit më parë.

Ai theksoi se ata që nuk i gëzohen suksesit janë si ato hudhrat në dyert e shtëpive për të mbajtur larg syrin e keq.

“Nga Morina gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë. Ndërsa në korrik 3 mijë më shumë se korrikun e shkuar. Edhe ajo teoria keqdashëse e hapur këtë sezon për shqiptarët e Kosovës që e paskan braktisur Shqipërinë, është një zero me xhufka. Nga ana tjetër janë shifrat e ardhura nga doganat dhe tatimet që edhe ato janë me rritje krahasur me vjet. Ka një rritje të konsiderueshme të konsumatorëve. E habitshme se sa shumë e ka të pamundur një pjesë jona t’i gëzohet suksesit të Shqipërisë, kjo dihet. Shyqyr që është një pjesë që zvogëlohet. Disa i kemi si ato hudhrat në dyert e shtëpive për të mbajtur larg syrin e keq”, u shpreh Rama.

Publikuar nga Publik Media